E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2, sot mbyllet plotësimi

TIRANE-Formularit A2 sot ka ditën e fundit të plotësimit sipas afateve zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Data 5 gusht ofron mundësinë e plotësimit të formularit të preferencave për të gjithë maturantët e qytetit të Kukësit, Tropojës, Hasit dhe Dibrës. Ndërkohë që po ditën e hënë MASH do të marrë vendimin për shtyrjen e afatit të plotësimit për nxënësit, të cilët e kanë bërë plotësimin gabim ose për arsye të ndryshme nuk kanë mundur ta plotësojnë brenda afateve të përcaktuara.

Shtyrja e afatit me dy apo tri ditë është deklaruar nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj që në nisjen e këtij procesi, por vendimi zyrtar se sa ditë do të shtyhet afati i plotësimit të Formularit A2 do të bëhet publik ditën e hënë. Deri më tani pjesë e garës për në universitetet publike janë bërë rreth 35 mijë maturantë. Ndërkohë që në total pjesë e kësaj gare pritet të bëhen rreth 40 mijë kandidatë, të cilët do të garojnë në universitetet publike të vendit nëpërmjet përzgjedhjes të 10 degëve në Formularin A2.

Formulari A2
Data 5 gusht është edhe dita e fundit e plotësimit të tij nga maturantët e qarkut të Kukësit. Por sot MASH pritet të bëjë publike afatet e shtyrjen zyrtare të plotësimit të Formularit A2 nga maturantët që nuk kanë mundur ta plotësojnë. Të gjithë ata maturantë që pas plotësimit u ka ardhur një përgjigje në adresën e mail-it të tyre, do të thotë se plotësimi i Formularit A2 është bërë me sukses. “Hapi i parë për plotësimin e formularit është kërkesa e adresës së e-mail-it për secilin kandidat, për këtë arsye. Pas plotësimit të formularit, maturantët marrin një përgjigje në email-in e tyre, gjë që tregon se e kanë plotësuar në rregull atë. Kandidatit i vjen në e-mail: ‘Ju plotësuat Formularin A2, zgjodhët këto preferenca dhe është kjo pamje që keni plotësuar”. Veç kësaj, ai mund të bëjë një print të kopjes që ka plotësuar”, sqaroi kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj. Ai pohon gjithashtu se do të ketë një datë të dytë për formularin për të gjithë ata që kanë bërë gabime ose për një arsye tjetër nuk e kanë plotësuar. “Pas datës 5 gusht, që është edhe afati përfundimtar i plotësimit të Formularit A2 do të këtë një shtyrje të afatit për të gjithë ata maturantë që nuk kanë mundur ta plotësojnë apo e kanë plotësuar gabim.

Ministria e Arsimit do të bëjë publike ditën e hënë se sa ditë do të shtyhet afati për plotësimin e tij, por mendohet të jetë nga 2 deri në 3 ditë. Ndërkohë që fituesit për në universitete do të shpallen në mesin e muajit shtator”, tha Harizaj. Sipas të dhënave paraprake të AKP-së, plotësimi i Formularit A2 deri në fundjavë është plotësuar nga rreth 35 mijë maturantë, që janë bërë pjesë e garës për të fituar një të drejtë studimi në institucionet e arsimit të lartë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›