E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fortuzi: Përgjegjës kryesor, OSSH

(ALBANIA SPORT) - Këshilli Mbikëqyrës i Fushave pranë Ministrisë së Sporteve analizoi skandalin pas incidenteve në “Qemal Stafa”, gjatë takimit miqësor ndërkombëtar Gramozi i Ersekës – Real Madrid, ku për 90 minuta u ndërpre energjia elektrike në katër kullat ndriçuese për shkak të djegies së transformatorit. Sipas Fortuzit, këshilltari i ministrit të Sporteve dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, përgjegjës kryesor është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH.
“Me urdhër të Ministrit (Xhaferri) sot është ngritur një grup punë me përfaqësues të ministrisë sonë, Ekonomisë, për të marrë në shqyrtim një reformë të thellë në drejtimin e ambienteve sportive, përfshirë stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe pallatit të sportit (“Asllan Rusi”), për të ndryshuar formën e administrimit të këtyre objekteve sportive”, - tha Fortuzi në konferencën për shtyp.
Fortuzi theksoi se përgjegjës është edhe ish-drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, madje duke shtuar se ka dyshime të forta dhe për sabotim. “Shkarkimi i drejtorit Perikli Dhales u bë pasi ai lejoi zhvillimin e ndeshjes, edhe pse nuk kishte marrë masat e parashikuara nga rregullorja dhe masat e vendosura nga UEFA dhe FIFA, të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH-ja dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji të stadiumit.
Fortuzi, një ish-futbollist i shquar i Tiranës, pohoi se nuk u zbatuan rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve me ndriçim, ndërkohë që OSSH-ja, tashmë e administruar nga një kompani çeke, nuk siguroi furnizim alternativ me energji. Këshilltari i ministrit Xhaferri, tha se ndeshja nuk duhet të fillonte pa qenë i pranishëm gjeneratori në stadiumin “Qemal Stafa”.
“Përgjegjësia është e OSSH-së, pasi ajo ka bërë një kontratë me firmën “Taçi Oil” për ta marrë në mbikqyrje stadiumin e ndeshjes, Nuk e ka respektuar, pasi nuk ka pasur gjenerator në stadium”. 
Në lidhje me idenë e hedhur nga ministri Ferdinand Xhaferri për një sabotim të mundshëm, Fortuzi tha se prokuroria ka pyetur rreth 25 veta në lidhje me incidentin në stadium dhe se organi i akuzës po interesohet për informacione të mëtejshme. Në fakt, energjia u ndërpre vetëm në linjën që furnizonte kullat e ndriçimit të stadiumit. Burimi: Albania-sport.comE Enjte, 21 Janar 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›