Xhani, Berishës: Kombëtari të quhet "Panajot Pano"

(ALBANIA SPORT) - Klubi i Futbollit Partizani i kërkoi zyrtarisht përmes një letre të firmosur nga presidenti i klubit të kuq, Albert Xhani, kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, si dhe ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” të marrë emrin e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, të ndarë nga jeta dy ditë më parë pas një goditjeje kardiake në moshën 71-vjeçare, në Florida të Shteteve të Bashkuara.
“Marrim këtë iniciativë, duke pare se Panajot Pano është jo vetëm simboli i FK Partizanit, klubi që e rriti, aty ku Pano luajti dhe punoi për 25 vjet, por edhe simbol i sportit shqiptar. Duke pare vlerat qe do të përçojë brez pas brezi ky simbol, na lejoni t’ju propozojmë që këtë legjende të futbollit ta nderoni duke i vënë Stadiumit Kombëtar emrin “Panajot Pano”. Do të ishte një vlerësim për figurën e Panajot Panos, që tempulli i futbollit ku ai luajti jo vetëm për Partizanin por edhe për Kombëtaren të mbante emrin e një figure kaq shume të nderuar”, - thuhet në letrën e klubit të Partizanit, drejtuar kryeministrit Berisha dhe ministrit të sporteve, Xhaferraj.
Një iniciativë të tillë e kanë ndërmarrë edhe zëvendësministrat e Kulturës, Turizimit, Rinisë e Sporteve, Nikoll Lesi dhe Dashnor Bajaziti. Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Nikoll Lesi, hodhi idenë që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” të marrë emrin “Panajot Pano”.
Lesi do t’i përgatisë një propozim zyrtar qeverisë së kryeministrit Berisha. Në fakt, Qemal Stafa, emrin e të cilit e mban për gati 60 vjet stadiumi, mbetet një figurë e respektuar e së kaluarës komuniste, por nuk ka aspak lidhje me sportin, kështu që emri “Panajot Pano”, mund të gjente pëlqimin e të gjithë krahëve politikë por dhe tifozëve shqiptarë.
Panajot Pano debutoi si lojtar i Partizanit, më 14 shkurt të vitit 1960 (kundër Dinamos, 3-0) e deri te ndeshja e tij e lamtumirës, më 23 maj të vitit 1975, kundër 17 Nëntorit (Tiranës së sotme). Pano fitoi me fanellën e Partizanit, katër herë kampionatin dhe pesë herë Kupën e Shqipërisë.
Për aftësitë dhe vlerat që tregoi Pano në fushë dhe në jashtë saj ai është nderuar me disa tituj si: "Mjeshtër i Merituar i Sportit", "Lojtari i artë" i Federates Shqiptare te Futbollit, "Futbollisti më i mirë i shekullit" nga FIFA, “Golden Player” nag UEFA, "Nderi i Kombit" dhënë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Ndoshta ndeshja e parë ndërkombëtare e Shqipërisë, ajo kundër Irlandës së Veriut, më 3 mars do të luhet në stadiumin kombëtar “Panajot Pano”.
Panajot Pano, pasaporta
Klubet: SK Tirana, Partizani, Dinamo
Aktivizuar: Me të rinjtë e Tiranës 1955-57, Puna e Tiranës 1957-59 (të rritur), Partizani 1960-75, Dinamo 1962 (për Kupën Ballkanike)
Trofe:
1957 - Kampion me të rinjtë e “17 Nëntorit”.
1960 - Golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1961 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1963 - Kampion kombëtar me Partizanin, medalje argjendi në turneun e Ushtrive të Vendeve Socialiste.
1964 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë.
1966 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1967 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1970 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1971 - Kampion kombëtar me Partizanin.
1973 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
5 herë fitues i anketës të “Sporti Shqiptar” (10 sportistët më të mirë të vitit)
2000 - Fitues i anketës “Sportisti më i mirë i shekullit”, fitues i anketës së gazetës “Sporti Shqiptar”: “11-shi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar”, “11-shi më i mirë i 50 dhe i 55 kampionateve kombëtare”.
1979 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
1980 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, si zv/trajner i Partizanit.
1981 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
Dekoratat:
Urdhri i Artë “Mjeshtër i Madh”, Urdhër Pune i klasit 2, Urdhri “Naim Frashëri i klasit 3,2,1″, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, medalja “Urdhri i Meritës” për 100-vjetorin e FIFA-s.
I zgjedhur:
Më 1999 president nderi i Partizanit, më 2002 president nderi i FSHF-së. Burimi: Albania-sport.comE Enjte, 21 Janar 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili