E Diel, 1 Nëntor 2026

Fortuzi, lamtumirë skuadrës: Iki me përshtypjet më të mira

Pritja përfundoi. Indrit Fortuzi u ka dhënë drejtuesve të Skënderbeut përgjigjen përfundimtare. Pasi ndihmoi skuadrën korçare të rikthehej në Kategorinë Superiore, ish-sulmuesi i famshëm i Tiranës nuk do të vazhdojë më punën në krye të stolit. Lajmi është bërë i ditur nga zyra për shtyp e klubit juglindor, e cila saktësonte se tashmë drejtuesit kanë filluar punën për emërimin e trajnerit të ri. "Largohem me përshtypjet më të mira nga Korça dhe nga skuadra e Skënderbeut", ishin fjalët e Fortuzit pas këtij "divorci". "Dëshiroj të falënderoj të gjithë futbollistët që punuan së bashku me mua për të arritur më të mirën gjatë sezonit të kaluar dhe realizuan objektivin për ngjitjen e skuadrës mes më të mirave në vend. Nuk mund të harroj pa përmendur as të gjithë sportdashësit, që na kanë mbështetur në suksesin tonë". Drejtimi i stolit të Skënderbeut ishte detyra e parë e "Zogut" në karrierën si trajner, ndërsa në fillim të edicionit të kaluar ai ishte ndihmës i Blazh Slishkoviç te Tirana.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›