E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidati i PS, padi Moisiut

 

ADI SHKEMBI

Lista e kandidatëve të pa denjë për t’u bërë deputetë, e publikuar nga koalicioni për Parlament të Pastër, ka sjellë reagimin e disa prej emrave të përmendur në këtë raport. Partia Demokristiane, e cila ka tre kandidatë të saj në këtë listë, e ka konsideruar këtë përfundim si spekulativ dhe të njëanshëm, ndërsa kandidati i PS-së, Asllan Dogjani i ka kërkuar një dëmshpërblim prej 5 milionë lekësh ish-presidentit Alfred Moisiu.
Reagimet
Kandidati i PS-së në qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani depozitoi dje një kallëzim penal në prokurori, pasi emri i tij ishte renditur i pari në listën e koalicionit të majtë, për sa i përket emrave të padenjë që do të shkojnë në parlament. “Në njoftimin e bërë publik në media, z.Moisiu ka paraqitur midis të tjerave dhe emrin tim si plotësues i kritereve të vendosura në mënyrë tepër subjektive nga vetë ai dhe organizimi që i referohet. Kemi të bëjmë me një lloj argumenti ku, z.Moisiu më paraqet si një kandidat të padenjë për deputet pasi sipas tij nuk kam arsimin e plotë dhe për më tepër të jem person me precedentë penale. Dua të sqaroj se figura ime është një figurë që jo vetëm nuk është e lidhur me precedentë penalë, por unë prej shumë vitesh kam qenë një përballje e forcës së shtetit me elementë kriminalë, për shkak të detyrës dhe punës sime si drejtues policie në disa qarqe të vendit”, thuhet në kallëzimin penal të Dogjanit. “Nisur sa më lart, bazuar në nenin 120 të K. Penal dhe 58, 59 dhe 60 të K. Pr. Penale kërkojmë nga Gjykata procedimin e z. Alfred Moisiu akuzuar për veprën penale dhe ‘shpifjes’ dhe dënimin e tij si dhe shpërblimin e dëmit në vlerën e 5 milionë lekëve, dëm i shkaktuar me dashje nga ky person”, vijon më tej kallëzimi i Dogjanit. Ish kandidati i PS-së në 2005, Dogjani, ka qenë drejtor i Policisë së Fierit, ku ka shënuar rezultate shumë të mira si dhe drejtor i Policisë së Shkodrës.
Reagimi i PDK
Pas publikimit të raportit ka reaguar ashpër edhe Partia Demokristiane, e cila ka pasur 3 kandidatë për deputetë, të cilët sipas Koalicionit nuk i plotësonin kriteret. PDK e konsideron publikimin një spekulim politik dhe shpreh habinë se si shkaktarët e Gërdecit nuk janë në “listën e zezë”. “Jemi të habitur sesi jashtë listës janë politikanë të lidhur me tragjedinë e Gërdecit, dhe në të janë ata që shëruan plagët e Gërdecit. Shprehim keqardhjen se për spekulime të tilla një javë përpara zgjedhjeve, janë përdorur imazhi e emri i ish Presidentit të Republikës, me të cilin Partia Demokristiane ka pasur dhe ka marrëdhënie korrekte bashkëpunimi e respekti reciprok”, tha Lazër Stani, sekretar politik i PDK-së. Pilo Kerri, kandidati për G99, shpreh indinjatë për përfshirjen e tij në listën e njerëzve që s’duhet të jenë në Parlamentin e ardhshëm. “Megjithëse nga respekti dhe konsiderata për ish-presidentin Moisiu, ajo që është bërë publike nga sondazhi i këtij grupimi, ka qenë vetëm një shou mediatik. Unë jam 50 vjeç dhe nuk kam asnjë precedent penal në jetën time. Ka pasur mbi 9 kontrolle nga qeveria Berisha në bizneset e mia dhe nuk ka dalë as më i vogli problem nga to”, tha Kerri. Sipas tij, “mendoj se kjo është pasojë e politikës së vjetër që ka ndihmuar në nxjerrjen e emrit tim në këtë listë. Unë jam në kulmin e fushatës dhe përfaqësoj një parti, G99, e cila është në marrëveshje të plotë me PS-në për të bërë ndryshimin në politikën shqiptare. Unë e shoh qartë në mbështetjen që më jep elektorati në Kuçovë, Urë Vajgurore dhe Berat pastërtinë e figurës sime dhe nëse unë duhet të jem ose jo në parlamentin e ardhshëm”. Artur Duçkallari, një nga kandidatët për deputet i PDS-së hedh poshtë pretendimet e Koalicionit për Parlament të Pastër. “Kandidimi im për deputet nuk varet nga dëshira dhe kapriçot e OJF-ve anonime që kërkojnë të faktorizohen duke u përpjekur të përgojojnë kandidatët e zgjedhur të forcave politike, duke sajuar pseudo rregulla e pseudo kritere që nuk ekzistojnë. Sot problemi i vërtetë i Shqipërisë, nga i cili do të ndahemi më 28 qershor, është korrupsioni politiko-familjar i Sali Berishës dhe Fazlliçëve të tij”, tha Duçkallari.

Deputeti i PS: Kallëzim në Prokurori
Tavo: Më kërkuan 50 mijë euro për të hequr emrin tim

Kandidati socialist Vangjel Tavo hedh poshtë pretendimin e Koalicionit për Parlament të Pastër, sipas të cilit ai është një nga 20 emrat, që nuk duhet të jenë në parlamentin e ardhshëm. Sipas tij: “Nëse bëhet fjalë për kriterin e arsimimit, unë kam mbaruar Master”. “Nëse bëhet fjalë për përvojën politike, unë jam në mandatin e pestë, figura ime ka kaluar shumë filtra pastërtie, siç ka qenë dhe komisioni Bezhani”, u shpreh Tavo. “Ky koalicion ka piketuar disa persona për të marrë ca para. Nga një miku im, pak kohë më parë më erdhi një lajm se emri im lakohej të dilte si i njollosur në media dhe heqja e emrit tim mund të bëhej kollaj nëse paguaja 50 mijë euro. Unë i ktheva përgjigje “mikut tim” se pastërtinë time nuk ma cenon askush dhe nuk jap për këtë asnjë kacidhe”, u shpreh deputeti socialist. Sipas Tavos, koalicioni duhej të ishte marrë më mirë me ministrat e qeverisë, që janë me dosje në prokurori dhe janë pa imunitet. “Kam depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzim penal ndaj Koalicionit për Parlament të Pastër”, u shpreh Tavo. Sipas tij, mesazhi që merr çdo ditë nga elektorati në zonën e tij, ku është zgjedhur 5 herë janë rezultati më i mirë se çdo sondazh që bëhet nëpër zyra të caktuara.   

“Lista e zezë”

Koalicioni i PD
Astrit Veliaj    PR
Hajrrulla Paturri    PR
Mehmet Spahiu    PR
Vasilika Caushi    PR
Paulin Sterkaj    PD
Lefter Maliqi    PD
Indrit Fortuzi    PD
Spiro Kesera    PD   
Pashk Ujka    LDK

Koalicioni i PS
Asllan Dogjani    PS
Tom Doshi    PS
Vangjel Tavo    PS
Artur Duckallari    PDS
Pilo Keri        G99

Koalicioni i LSI
Viron Bezhani    LSI
Nazmir Bilani    PSV ‘91

Poli i Lirisë
Frrok Gjini    PDK
Jak Ndokaj    PDK
Mark Kroqi    PDK
Gëzim Bocari    LZHK

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›