E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sebastian Fetel, "mbreti" i Anglisë

Dominim! Që prej së premtes deri të dielën, nga xhiro e parë deri në finish. Ky është përkufizimi i vetëm për garën e Sebastian Fetel në cirkutin e Silverstonit. Piloti gjerman i Red Bull ishte protagonisti i padiskutuar i Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe, të cilin e mbylli përpara shokut të skuadrës, Mark Veber. Në vendin e tretë renditet Barrikelo, që me këtë rezultat "shpëton" BraunGP nga një figurë e keqe, në ditën kur Xhenson Baton (i gjashti) ka mbetur për herë të parë në këtë sezon jashtë podiumit. Paraqitje e mirë për Felipe Masën me Ferrarin, i cili e mbylli garën i katërti.

"Pole position", fitore dhe xhiro më e shpejtë: kjo është mënyra sesi Fetel regjistron suksesin e dytë sezonal dhe mban ende të hapur Botërorin 2009. Makina Red Bull e dizajnuar nga Adrian Njuei shfaqet e frikshme në shtëpinë e liderit aktual të kampionatit për pilotë. Baton ka një avantazh të konsiderueshëm nga talenti 21-vjeçar i "sponsorizuar" në F.1 prej Mikael Shumaher: plot 25 pikë, gjithsesi mbeten për t‘u zhvilluar edhe gjysmat e garave të këtij sezoni. Ndoshta sot duhej të ishte klasifikuar në vend të Barrikelos, por paraqitja e djeshme shërben si sinjal alarmi se makina BraunGP nuk funksionoi mirë. Nëse Ros Braun dhe mekanikët e skuderisë surprizë nuk do të bëjnë riparimet e nevojshme, rreziku i përmbysjes në klasifikim është real. Kjo edhe sepse Fetel është një prej pilotëve më të rrezikshëm. I nisur nga vendi i parë, ai nuk u la shpëtim kundërshtarëve. Brenda dhjetë xhirove, ku regjistroi kohë të shpejta të njëpasnjëshme, ai krijoi avantazhin e mjaftueshëm, për të ecur i sigurt drejt triumfit. Në ndihmë të tij ka ardhur edhe Barrikelo, që ka shërbyer si pengesë për shokun e skuadrës, Veber, piloti i vetëm që mund ta rivalizonte të dielën. "Është një ëndërr që realizohet, faleminderit djema, keni punuar në mënyrë fantastike. Është një ëndërr!". Me këto fjalë, Sebastian Fetel përshëndeti dhe falënderoi skuadrën sapo preu finishin në Britani. "Gjithsesi, nuk ishte një fitore e lehtë, ashtu si mund të dukej, komentoi gjermani në konferencën për shtyp. Ishte një garë e gjatë dhe shijova çdo metër të saj. Nuk është e lehtë të mbetesh i përqendruar gjatë gjithë kohës. Nisja kishte mjaft rëndësi, më pas e shkela gazin në maksimum, për të krijuar menjëherë distancën e sigurisë nga ndjekësit. Çdo gjë funksionoi për mrekulli, makina ishte fantastike. Në xhirot e fundit fillova numërimin mbrapsht dhe thjesht kontrollova garën. Mund të them se vetëm 10 xhirot e fundit ishin të lehta". Rreth klasifikimit ai shtoi: "Jam më se i kënaqur. Jemi në rrugën e duhur. Është kënaqësi të fitosh në Silverston, në këtë atmosferë të mrekullueshme. E përmirësuam makinën për këtë cirkuit, por tashmë duhet të punojmë për të rikuperuar pikët në botëror".

Ferrari zhvilloi një garë të mirë. Diferenca prej 45 sekondash nga vendi i parë i Masës nuk është maksimumi, por për brazilianin që u nis i 11-ti, ky është një rezultat i kënaqshëm. Edhe sepse ndodhej përpara Batonit. Raikonen nuk shkoi më shumë se vendi i tetë (duke marrë një pikë). Paraqitje për t‘u harruar për MekLarenin: Luis Hemilton e mbylli në vendin e 16-të, ndërsa Heiki Kovalainen u tërhoq, pas një aksidenti me Burde.

Silverston

1. S. Fetel 1:22:49.328

2. M. Veber +0:15.188

3. R. Barrikelo +0:41.175

4. F. Masa +0:45.043

5. N. Rosberg +0:45.915

6. Xh. Baton +0:46.285

7. J. Truli +1:08.307

8. K. Raikonen +1:09.622

9. T. Glok +1:09.823

10. Xh. Fizikela +1:11.522

Klasifikimi

1. Xh. Baton (BraunGP) 64

2. R. Barrikelo (BraunGP) 41

3. S. Fetel (Red Bull) 39

4. M. Veber (Red Bull) 35.5

5. J. Truli (Tojota) 21.5

6. F. Masa (Ferrari) 16

7. N. Rosberg (Uilliams) 15.5

8. T. Glok (Tojota) 13

9. F. Alonso (Renault) 11

10. K. Raikonen (Ferrari) 10



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›