E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parid Xhihani refuzon Odesan e Zaporozhian: Qëndroj te Zoria

Parid Xhihani do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e Zorias në Premierligën ukrainase. Me dhjetë golat e shënuar gjatë sezonit të kaluar, sulmuesi kavajas është shpallur lojtari më i mirë i skuadrës pas votimit të tifozëve. Ndërkohë që, ka tërhequr edhe vëmendjen e disa klubeve të tjera ukrainase, ku të interesuara për shërbimet e tij ishin Metalurg Zaporozhia dhe Odesa Çernomorets. "Më bëhet qejfi që tifozët më kanë përzgjedhur si lojtarin më të mirë të sezonit të kaluar. Do të bëj të pamundurën që të vazhdoj t‘u dhuroj atyre kënaqësi dhe ta ndihmoj Zorian drejt sukseseve në të ardhmen", deklaroi ish-sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë. "Nuk do të largohem nga skuadra, do të vazhdoj të luaj këtu, sepse kam kontratë me klubin dhe synoj ta respektoj marrëveshjen". Ofertat ishin joshëse, por fakti që është kthyer në një lojtar të rëndësishëm, e shtyn Xhihanin të mos largohet. "Metalurg Zaporozhia është interesuar për mua, por nuk kishte asgjë më shumë. Gjithsesi, nuk kisha ndërmend të largohesha. Edhe Odesa më kërkonte, por preferova të qëndroja te Zoria". Sulmuesi është edhe në sondazhin për lojtarin më të mirë të kampionatit. Ai ishte golashënuesi i dytë më i mirë shqiptar në Evropë, pas Hamdi Salihit, që shënoi 14 gola me austriakët e Ried.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›