Shtatlartësia, një tjetër problem për kuqezinjtë Danezët janë 88 cm më të gjatë se shqiptarët. Sot ekipi shqiptar duhet të mbështetet te teknika

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)- Kjo është padyshim një nga ndeshjet më të vështira të Shqipërisë. Kuqezinjtë kanë shumë faktorë kundër, një ndër të cilët dhe shumë i rëndësishëm është edhe gjatësia e lojtarëve. Skuadra daneze është 88 cm më e gjatë se skuadra shqiptare.
18 lojtarët skandinavë, që pritet të jenë të gatshëm për mbrëmjen e sotme kundër Shqipërisë, kanë një gjatësi totale prej 33.32 metrash, kundrejt 18-shit kuqezi, që ka një gjatësi totale prej 32.44 metra.
Gjatësia mesatare e një lojtari danez është 185.1 cm, ndërsa gjatësia mesatare e një futbollisti shqiptar është 180.2 cm. Diferenca mesatare është 5.1 cm, çka tregon se skuadra jonë duhet të tregohet tepër e kujdesshme në lojën në ajër, pasi kjo do të jetë një armë e fortë e danezëve.
Titullarët
Lojtarët e Danimarkës, që pritet të luajnë titullarë në sfidën e sotme, kanë një gjatësi totale prej 20.51 metër, pra mesatarja e çdo njërit prej tyre është 186.4. Lojtarët që pritet ta nisin si titullarë sot në radhët e Shqipërisë kanë një gjatësi totale prej 19.80 metër, ose një mesatare për lojtar prej 180 cm.
Vështirësitë
Skuadra e drejtuar nga Ari Han nuk do ta ketë aspak të lehtë në ndeshjen e sotme. Shqipëria luan në transfertë kundër një skuadre shumë të fortë. Në këtë takim vjen me moralin aspak të mirë, pasi humbi një ndeshje vendimtare në fushën e saj të shtunën. Ka mungesa të rëndësishme si Cana e Beqaj.
Përveç kësaj, e kaluara ka treguar se kuqezinjtë e kanë pasur të pamundur ta ndalin skuadrën daneze. Në gjashtë përballje, ata i kanë humbur të gjitha, duke shënuar vetëm dy gola dhe duke pësuar 14 të tillë. Lojtarët e vetëm shqiptarë që u kanë shënuar danezëve janë Panajot Pano dhe Erjon Bogdani.
4
futbollistë të Danimarkës, Sorensen, Kroldrup, Bendtner dhe Ager, janë të gjatë mbi 1.90 metra. Në goditjet standarde apo në goditjet e këndit, ata janë tepër të rrezikshëm në luftën në ajër.
Bogdani & CO
Mungesa e Bogdanit (191 cm), Canës (186 cm) dhe e Beqajt (185), padyshim që ka ulur ndjeshëm mesataren e gjatësisë te skuadra shqiptare. Një nga armët më të forta të qendërsulmuesit të Kievos është pikërisht lufta në ajër, por ai nuk u grumbullua për këto dy ndeshje.
Mbrojtja
Asnjë nga mbrojtësit e përfaqësueses shqiptare nuk i arrin 190 cm gjatësi. Ky është një problem, pasi danezët kanë katër futbollistë në formacionin bazë që i kalojnë të 190-at. Ky është një tjetër problem me të cilin do të përballet skuadra jonë.
Sorensen
Portieri Tomas Sorensen është lojtari më i gjatë te skuadra daneze. Gardiani është 196 cm. Lojtari më i shkurtër i skuadrës kundërshtare është mesfushori rezervë, Mikael Dehli, 170 cm.
Hidi
Lojtari më i gjatë i përfaqësueses shqiptare është portieri Isli Hidi. Ai është 190 cm i gjatë. Lojtari më i shkurtër është kapiteni i kuqezinjve, Altin Lala, 171 cm.
Danimarka
Tomas Sorensen (196 cm)
Kristian Poulsen (183 cm)
Per Kroldrup (195 cm)
Daniel Ager (191 cm)
Mikael Jakobsen (185 cm)
Lars Jakobsen (181 cm)
Daniel Jensen (179 cm)
Soren Larsen (193 cm)
Niklas Bendtner (191 cm)
Martin Jorgensen (180 cm)
Denis Romedahl (177 cm)
Rezerva
Jakob Poulsen (182 cm)
Tomas Kahlenberg (183 cm)
Leon Andreasen (188 cm)
Mikael Dehli (170 cm)
Morten Nordstrand (177 cm)
Jonas Borring (193 cm)
Stefan Andersen (188 cm)
Gjatësia
totale: 3332 cm
Mesatarja
për lojtar: 185.1 cm
Gjatësia e
titullarëve: 2051 cm
Mesatarja e
titullarëve: 186.4 cm
Shqipëria
Isli Hidi (190 cm)
Elvin Beqiri (180 cm)
Armend Dallku (180 cm)
Debatik Curri (182 cm)
Ansi Agolli (179 cm)
Klodian Duro (177 cm)
Besart Berisha (185 cm)
Ervin Skela (173 cm)
Altin Lala (171 cm)
Gilman Lika (178 cm)
Hamdi Salihi (185 cm)
Rezervat
Samir Ujkani (188 cm)
Kristi Vangjeli (177 cm)
Dorian Bylykbashi (179 cm)
Ervin Bulku (180 cm)
Migen Memelli (186 cm)
Endrit Vrapi (177 cm)
Elis Bakaj (175 cm)
Gjatësia
totale: 3244 cm
Mesatarja
për lojtar: 180.2 cm
Gjatësia e
titullarëve: 1980 cm
Mesatarja e
titullarëve: 180 cm
E Merkure, 01 Prill 2009