E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionalizëm i lirë, tashmë sipas modelit evropian



Shërbimet profesionale dhe sidomos ato me përmbajtje të lartë të dijeve, kanë një rol fondamental për zhvillimin e vendit dhe krijimin e posteve të reja të punës, pasi paraqesin një komponent të nevojshëm për prodhimin e produkteve finale dhe favorizojnë konkurrencën dhe me sektorët e tjerë. Ndërkohë, disa prej profesioneve, përbëjnë një instrument të pazëvendësueshëm në mbrojtje të disa të drejtave fondamentale të qytetarëve.

Ligji për profesionet e rregulluara, i miratuar së fundmi nga kuvendi, synon organizimin dhe modernizimin e këtyre profesioneve, mbështetur në parime të përshtatshme për ekonominë e dijes së mileniumit të tretë. Ky ligj favorizon rritjen e dijeve dhe të kualitetit, kapacitetin konkurrues dhe kohezionin social të sistemit kombëtar të profesioneve.

Ligji paraqet një kuadër të rregullimit efikas të tregjeve që sigurojnë barazi të oportuniteteve, hapjen e sektorëve të rinj profesionalë, multiprofesionalë e ndërdisiplinorë, si dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Bashkimi Evropian i konsideron shërbimet profesionale si një faktor mjaft të rëndësishëm në kontekstin ambicioz të strategjisë së Lisbonës, për ta shndërruar ekonominë evropiane në ekonominë më konkurruese dhe dinamike, të bazuar në dije. Ai ka nxjerrë një sërë direktivash për profesionet e rregulluara e të lira, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe mobilitetin e profesionistëve. Në këtë kuadër, miratimi i këtij ligji për profesionet e rregulluara shënon një hap përpara në fushën e përafrimit të legjislacionit tonë me atë evropian dhe hap rrugën për ligje të tjera në fushën e profesioneve.

Ligji për profesionet e rregulluara artikulohet sipas disa objektivave si:

- mbrojtja e të drejtave dhe interesave të përgjithshme, të lidhura me ushtrimin e profesioneve;

- vlerësimi i profesioneve për rolin e tyre të rëndësishëm;

- hapja e sektorëve profesionalë ndaj konkurrencës. Kjo është veçanërisht pozitive për të lehtësuar hyrjen e të rinjve në profesionet e rregulluara. Gjithashtu, përfshirja e praktikave profesionale brenda periudhës së zhvillimit të programit të studimit, njëlloj si në vendet evropiane, lejon hyrjen e të rinjve më shpejt në tregun profesional të punës.

Dimensioni i profesioneve të rregulluara në RSH do të përfshijë së shpejti sektorë e shërbime të reja, të gjeneruara nga proceset e ristrukturimit të tyre, të globalizimit, në lidhje të ngushtë edhe me proceset e inovacionit teknologjik.

Në aktet pasuese ligjore e nënligjore duhet vendosur një nivel i drejtë i rregullimit të profesioneve specifike, për të shmangur kushte të pajustifikueshme për konkurrencën e drejtë, për të favorizuar por njëkohësisht siguruar në këtë mënyrë zhvillimin, kualitetin e nevojshëm dhe punësimin e sektorit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›