Majko: Berisha të jetë i kujdesshëm me opozitën
Anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko sqaroi gjatë një interviste për "Gazeta Shqiptare", çështjet e reja me
të cilat do të pasurohet programi i ri politik i partisë. Në një formë ndjese ndaj ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve, socialistët do të parashikojnë zgjidhje për problemet e tyre. Ai ka përsëritur kërkesën për transparencë të kutive të votimit, ndërsa ka kërkuar dialog nga Berisha dhe "të jetë i kujdesshëm që të mos vendosë barriera të pakapërcyeshme midis opozitës dhe qeverisë së tij". Ish-aleatit të tij, Ilir Meta, Majko i sugjeron që të merret me punët në ministri.
Zoti Majko, PS-ja ka ngritur dy grupe pune për ndryshimet në statut dhe në program. Përse duhet një program i ri?
Çështja e programit të PS-së nuk mund të merret si paralel me programin politik të zgjedhjeve. Mendoj se ka një dallim esencial. Kjo pak a shumë ka një paralele me ajsbergun. Ajo që diskutohet si program politik për të qeverisur vendin për 4 vjet, në thelb është pjesa e dukshme e asaj që një parti i ofron shoqërisë, në rast se do të marrë qeverisjen. Krejtësisht e kundërta është programi politik thelbësor i një partie që ka të bëjë me stigmatizimin e saj në skenën politike, me filozofinë e saj përballë shoqërisë dhe me mënyrën se si ajo nëpërmjet këtij programi me fijeza të dukshme dhe të padukshme lidh shtresat e ndryshme, të cilat e ndiejnë veten të përfaqësuar nëpërmjet kësaj partie. Është një moment shumë delikat ky, që ne kemi filluar si diskutim. Mendoj se për nga rëndësia por edhe nga momenti që po kalon, PS-ja do të hapë një debat goxha interesant edhe brenda gjirit të saj, kur ai diskutohet në principet e veta, jo vetëm në qendër por edhe në bazë. Dhe sigurisht do të ketë të bëjë edhe me një rishikim të pozicionit të partisë sonë në kushtet e reja ekonomike dhe sociale të pas viteve '90. Kanë ndryshuar një varg rrethanash ekonomike, kanë ndodhur një sërë ndryshimesh brenda vetë shoqërisë shqiptare, me ndarjen e pronës pas viteve '90 dhe me strukturimin e shtresave sociale nga më të pasurat deri te më të varfrat. Në këto kushte, mendoj se diskutimi i programit dhe vendosja e raporteve të balancuara me këtë histori politike dhe sociale që ka ndodhur brenda shoqërisë shqiptare, do të jetë një diskutim më vete, e përsëris shumë i rëndësishëm për historinë e kaluar dhe të ardhmen e PS-së. Sigurisht, ne nuk mund të shmangim faktin që duke qenë anëtarë të Internacionales Socialiste, në një mënyrë apo tjetër, ajo që po ndodh me ne është edhe një lloj krize në vazhdim që ndihet te majtizmi, te pozicionimi i saj përballë sfidave shoqërore që përballet e majta jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Rrëzimi i Bashkimit Sovjetik, në një mënyrë apo një tjetër lëkundi një varg pozicionesh të së majtës evropiane dhe një diskutim i një natyre të tillë nuk mund ta fshehë, duke pasur brenda edhe krizën e majtizmit që ekziston edhe në vende të tjera të Evropës. Por mendoj që kjo nuk ka pse të shërbejë si një lloj sugjestioni apo një lloj tërheqjeje që ne mos e hapim këtë lloj debati, pasi në një mënyrë apo tjetër, me mënyrën praktike që ne i kemi dhënë si Parti Socialiste zgjidhje mjaft problemeve qoftë në opozitë, qoftë në qeverisje, mendoj që s'ka asgjë të tepruar që ne këtë diskutim ta fillojmë. Janë një varg çështjesh që ne do të përpiqemi t'i riintegrojmë brenda vetes, çështje të natyrave që kanë të bëjnë, qoftë me çështjen e pronës, raportet tona me ish-pronarët, me të përndjekurit, me të kaluarën, me njohjen e fenomeneve të tranzicionit dhe vendosjen e balancave me to dhe elementë të natyrave të tjera që sigurisht do të jenë pjesë e diskutimit të brendshëm. Është ende herët për të fiksuar piketa të qarta lidhur me ato çfarë ne do të ndryshojmë në programin e PS-së, por padyshim mendoj që surprizat do të jenë vetëm të karakterit pozitiv.
Ka pasur kritika se PS nuk ka pasur program fare... Pse lindi nevoja e ndryshimit, nëse ka pasur? A mos rezultoi i dështuar ai që ishte?
Mendoj se programi që është përgatitur për zgjedhjet e 28 qershorit, mbetet një program i cili u përgatit për ato zgjedhje. Bëhet fjalë për një program, i cili kishte brenda vetes një kontratë për 4 vite qeverisjeje nëse PS-ja do të fitonte zgjedhjet. Ndërsa tani kjo që po diskutojmë ne është programi politik i PS-së. Është thelbi i thelbit të ekzistencës së PS, është fondamenti, mbi të cilin ekziston partia.
Kthimi nga shtresa e ish-pronarëve a po rrezikon që PS të fillojë të shihet si parti "të pasurish"...?
Nuk mendoj se ne po rrezikojmë të kthehemi në një parti të pasurish, duke kthyer sytë nga problemi më i rëndë social dhe politik që ekziston aktualisht në shoqërinë shqiptare e që janë marrëdhëniet me pronarët e vjetër. Së pari, sepse për të bërë një ironi të hidhur, ish-pronarët nuk mund të konsiderohen shtresë e pasur sot në shoqërinë shqiptare. E kam thënë dhe e përsëris se marrëdhënia e shtetit shqiptar me shtresën e pronarëve të vjetër po kap kuotat e një krimi të mirëfilltë ekonomik. Nëse do t'i kthehemi historisë së vjetër të partisë sime, mund të thuhet se në vitet '46-'47, filloi një reformë agrare e cila shpronësoi pjesën më të madhe të pronarëve, pasi ishte periudha e Sejfulla Maleshovës, i cili në një mënyrë apo tjetër i trajtoi duke u dhënë një sasi që shkonte nga 20 deri 25 ha tokë. Nëse mund të bëj një retrospektivë dhe të hedh një sy, sot paralelja është e jashtëzakonshme për sa i përket absurditetit me të cilin ne po ballafaqohemi. Nëse komunistët shpronësimin e bënë nëpërmjet një legjislacioni, i cili është miratuar në strukturat përkatëse, sot aktualisht pronat po grabiten në sytë e pronarit, duke pasur një legjislacion dhe një Kushtetutë që ia garanton të drejtën e pronës. Kjo është arsyeja pse përmenda termin "krim", në marrëdhënie me pronarët. Nëse mund të flasim me një gjuhë edhe më politike lidhur me marrëdhëniet që shoqëria dhe shteti shqiptar ka krijuar me pronarët e vjetër, mund të them me bindje se nëse komunistët bënë shpronësimin e parë të pronarëve në Shqipëri, aktualisht po ndodh shpronësimi i dytë, dhe ndoshta fundor i pronarëve, duke e sjellë trajtimin e kësaj shtrese sociale nga shoqëria shqiptare dhe nga shteti shqiptar mbi të gjitha në një mënyrë të paprecedentë, e cila do të ekzistojë si një lloj kanceri i brendshëm në marrëdhëniet etike, politike dhe ligjore të shoqërisë shqiptare. Nuk mendoj se vënia e gishtit në drejtim të plagës më të rëndë sociale që ekziston për sa i përket çështjet së legalitetit dhe funksionimit të shtetit shqiptar do ta bënte PS-në një parti të pasurish. Mendoj se është në karakterin e të majtëve që të identifikojnë padrejtësinë dhe mundësisht të fillojnë diskutimin për gjetjen e një kure. Për ne është e qartë vetëdija se kjo nuk mund të vazhdojë si zgjidhje me të ashtuquajturat "shuma buxhetore" të nivelit mizerabël prej 5 milionë apo diçka më tepër eurosh. Ka filluar që në periudhën e qeverisjes sonë dhe po vazhdon me sukses ironik në periudhën e PD-së. Ishte e pritshme që marrja e pushtetit nga e djathta do të ishte një ndryshim esencial në marrëdhënie me këtë shtresë, por duket qartë se sistemi ka vazhduar po kështu, aq sa nganjëherë në trajtimin e marrëdhënieve me pronarët e vjetër është tepër e vështirë të dallosh se kush është e majta dhe kush e djathta. E them sigurish me një ndjenjë ironie këtë. Ajo që është edhe më problematike në vazhdim është fakti se qeveritë shqiptare, por sidomos kjo e fundit po vazhdon në mënyrë cinike të shpërndajë pronën e paluajtshme qoftë edhe me sistemin e famshëm "1 euro" në drejtim të duarve të çuditshme si ato të zotit Fazliç, një gangster rajonal, dhe për të vazhduar me histori të tjera, të cilat nuk është nevoja të bëjmë listën dhe kompensimin fizik e ka shtyrë në pakuptimësi. Në një kohë që shoqëria dhe shteti shqiptar nuk e ka pohuar ende në mënyrë të qartë se kush është borxhi i brendshëm që ne i kemi të gjithë së bashku shtresës së pronarëve. Mendoj që ky problem qoftë nga pikëpamja legale, qoftë nga pikëpamja morale, pa diskutim mund të ripërsërisë fjalën që thashë se kemi të bëjmë me një krim të mirëfilltë ekonomik.
Mendoni që me këtë program mund t'i tërhiqni rreth PS-së ish-të përndjekurit, ish-pronarët?
Nuk mendoj se ky diskutim që ne po bëjmë është për të thithur vota. Kjo është në radhë të parë një njohje e problemit shoqëror që ekziston në Shqipëri. Në fund të fundit një parti, e cila pretendon të qeverisë edhe duke mos pasur votat e një shtrese të caktuar, është e qartë se ajo në momentin që do të marrë qeverisjen e vendit do të qeverisë edhe këtë pjesë të shoqërisë. Kështu që do të ishte absurde që ne të mos kishim përgjigje për pjesë të shoqërisë, të cilat pavarësisht se kanë dhe ruajnë një distancë qoftë edhe politike nga ana e PS-së, të mos shohin përgjigje për problemet e tyre, aq më tepër kur këto probleme, në një mënyrë apo një tjetër kanë kapur të gjithë strukturën legale të shtetit.
Orientimi nga ish-të përndjekurit e largon përfundimisht hijen e Enver Hoxhës nga PS-ja?
Nuk mendoj se çështja e të përndjekurve dhe hija e Enver Hoxhës janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse do të ishte kaq e thjeshtë, atëherë mendoj se kjo do të ishte thjesht një lëvizje pragmatiste dhe në thelb hilanjoze. Mendoj se marrëdhënia me ish-të përndjekurit ka qenë një marrëdhënie në radhë të parë njerëzore, që nuk ka filluar tani, ka filluar më parë. Është një shtresë, e cila e kupton më herët dhe më mirë se të tjerët fenomenin e padrejtësisë apo të mënyrës së keqe të sjelljes së shtetit karshi shtresave të tjera të popullsisë, qofshin edhe kur nuk kanë të bëjnë me interesat e tyre. Kjo dhe arsye të tjera mendoj se padyshim do ta sjellin në vëmendje edhe diskutimin lidhur me detyrimet që shoqëria shqiptare, jo thjesht PS-ja ka karshi kësaj shtrese. E kam dëgjuar shpesh faktin që PS si një parti, e cila ka prejardhjen e vet nga Partia Komuniste, nuk ka kërkuar ndonjëherë ndjesë ndaj kësaj shtrese. Mendoj që shprehja dyrrokëshe "më fal" do të ishte shumë cinike për t'u thënë në një rast i cili nuk përfshin një histori 1-vjeçare apo 2, apo 10- vjeçare, por ka brenda disa dekada. Mendoj se reflektimi për atë çfarë na ka ndodhur të gjithë bashkë, por sidomos reflektimi ndaj kësaj shtrese, e cila nuk ka qenë bashkëfajtore dhe bashkëvuajtëse, por thjesht e mirëfilltë e persekutuar nga shoqëria e sistemi që ka pasur Shqipëria, do të sjellë një risi dhe një reflektim të brendshëm në PS, e cila në çdo rast mendoj se do na bëjë mirë neve të majtëve, pavarësisht se këtu nuk bëhet fjalë për t'u ofruar për çështje elektorale. Ashtu si tek çështja e ish-pronarëve të vjetër, edhe tek çështja e marrëdhënieve me ish-të përndjekurit, PS-ja nuk po përpiqet që të krijojë hoje mjalti për të thithur vëmendjen e të tjerëve apo të votave që s'i ka pasur ndonjëherë, por këtë në radhë të parë po e bën për veten e vet, për të pozicionuar veten përballë të kaluarës, por sidomos për atë që vjen drejt të ardhmes, që historia të mos mbyllet me dyrrokëshin "më fal", por të ketë një reflektim i cili të rindërtojë themelet së pari në mosharresën dhe së dyti në një detyrim të përbashkët shoqëror që nuk ka të bëjë me themelin e së majtës apo të djathtës, por ka të bëjë me një detyrim i cili do të vijë normalisht në radhë të parë nga qenësia njerëzore e filozofisë që përfaqëson e majta.
Kjo që po thoni, do të thotë që PS, pra ju lidershipi i sotëm duhet të mbani përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur edhe me Partinë e Punës?
As që bëhet fjalë për të mbajtur përgjegjësi, por ne nuk mund të rrimë pa u orientuar në koordinatat nga të cilat ne vijmë dhe ku kemi ndërmend të shkojmë. E majta është një histori, e cila e ka të qartë se nga vjen dhe e di se ku shkon. Sot në Shqipëri është e vështirë të quhesh apo të mendosh se po zhvillon politikë pa u orientuar në koordinata të tilla, që kanë të bëjnë me historinë politike dhe shtetërore të Shqipërisë. Mendoj se diskutimi i të kaluarës është i nevojshëm. Heshtja do të ishte një problem jo për brezin që zhvillon apo prodhon aktualisht politikë, por për ata që do të vijnë më pas. Mendoj se nuk do të na e falin faktin e mostrajtimit të së kaluarës. Mendoj se në një mënyrë apo një tjetër ne jemi të qartë për mënyrat se si kanë ndryshuar elitat politike dhe ekonomike në Shqipëri që pas mbarimit të fazës së pushtimit otoman dhe këto koordinata pa diskutim do të jenë pjesë e diskutimeve të natyrshme për ata që do të merren me politikë, qoftë majta apo djathtas, një histori e cila ka filluar me protagonizmin e parë të Ismail Qemalit dhe Esat Toptanit, pastaj për të vazhduar me Zogun dhe Nolin e pastaj për të vazhduar me Enver Hoxhën dhe Mit'hat Frashërin dhe për të ardhur në kohën që ne kemi jetuar. Të gjitha këto koordinata kanë brenda një histori politike dhe shtetërore, një histori të ndryshimit të elitave në Shqipëri dhe shmangja e diskutimeve të natyrave qoftë edhe të orientimit historik do të ishte e pafalshme për politikanët e sotëm apo për ata që do të duan të merren me politikë.
Zoti Majko, Asambleja Kombëtare vendosi që të mos merrni pjesë në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, por pati edhe kundërshtime që u argumentuan me faktin se PS nuk duhet t'i shmanget garave elektorale. A e dëmtojnë imazhin e opozitës bojkotet e njëpasnjëshme?
Nuk besoj se do të kemi ndonjë dëmtim të imazhit të opozitës. Bëhet fjalë për rritjen e presionit opozitar karshi qeverisë aktuale dhe PD-së, për t'u ulur në tavolinën e negociatave dhe për të zgjidhur këtë krizë, të cilën unë e mendoj plotësisht të zgjidhshme, duke bërë një hap të cilin unë nuk e mendoj "ogurzi" siç thotë zoti Berisha, që ka të bëjë me hapjen e kutive të votimit. Hapja e tyre është një proces normal që funksionon më se i natyrshëm në Perëndim. Fakti që ne po kërkojmë të hapim kutitë dhe të bëjmë transparencë për zgjedhjet, nuk ka të bëjë me ndonjë fenomen për të krijuar një akt politik për destabilizim të vendit. Transparenca e zgjedhjeve nuk ka të bëjë me ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, nuk ka të bëjë me abrogimin e ndonjë vendimi gjyqësor, por ka të bëjë me një akt, i cili do të hapë një precedent, me qëllim që çdo komisioner në të ardhmen ta ketë të qartë se mbyllja e kutisë nuk është si mbyllja e një varri, që s'ka për t'u hapur ndonjëherë. Mendoj që çështja e transparencës do t'i shërbejë edhe më mirë vendosjes së standardeve të zgjedhjeve në të ardhmen, ku mbi të gjitha do të theksoja faktin e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve. Një pjesë e traumave që ne kemi kaluar në këto vite tranzicion kanë pasur të bëjnë me mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve nga ata që i kanë humbur ato, duke shërbyer pastaj si kauza për polarizimin e politikës dhe jetës shoqërore në vend. Mendoj se hapja e kutive nuk ka të bëjë me asnjë moment antikushtetues. Ajo në thelb do të vendosë një kulturë dhe moral të ri në politikën shqiptare. Kaq dhe asgjë më tepër.
Nëse nuk hapen kutitë, ka rrezik që ju të bojkotoni edhe zgjedhjet e 2011-ës dhe të kemi zgjedhje të parakohshme ?
Unë nuk jam partizan i historive duke bërë parashikime të çuditshme se ç'do të ndodhë në Shqipëri pas 1 viti apo pas 2 vjetësh. Ajo që po diskutojmë aktualisht është shumë herë më e qetë dhe shumë herë më pak ironike se sa të bësh pyetje se ça do ndodhë në 2011-ën. Mendoj se duhet parë me seriozitet nga ana e PD-së dhe qeverisë aktuale fakti që kërkesa e opozitës nuk ka të bëjë me një ndryshim rezultati, por ka të bëjë me vendosjen e një precedenti, i cili në thelb do të mbyllë një herë e përgjithmonë zgjedhjet e kontestuara në Shqipëri.
Po Zoti Berisha e ka thënë tashmë qartë se nuk ka hapje kutish. Çfarë do të bëni?
Mendoj që Berisha duhet të jetë i kujdesshëm që të mos vendosë barriera të pakapërcyeshme midis opozitës dhe qeverisë së tij, të cilat mund ta sillnin situatën në konkluzione aspak pozitive në radhë të parë për të dhe për ata që ka përreth dhe për vetë Shqipërinë, që historia qeverisëse e Shqipërisë të mos rimerrte përsëri pamjen e një regjimi.
Ndërkombëtarët kanë sugjeruar dialog konstruktiv brenda Parlamentit, por edhe një nga kundërshtarët e Ramës brenda PS-së, Ben Blushi tha se nëse ky bojkot do të jetë i pafund, atëherë një pjesë e deputetëve të PS-së do të hyjnë në Parlament. Çfarë mund të ndodhë?
Unë analizën e krizës aktuale nuk e filloj asnjëherë nga kolegët e mi. E filloj nga qeveria e Berishës. Mendoj se problemi kryesor i Shqipërisë nuk është Partia Socialiste, por është qeveria aktuale.
Nëse kjo pjesë e grupit hyn në parlament, a do kemi përjashtime dhe pastaj kemi një çarje të re të PS-së? E rrezikon kjo situatën aktuale brenda partisë?
Ajo që vë re personalisht për momentin, mendoj se brenda nesh ka një elasticitet të mjaftueshëm për të mos dhënë parashikime të tilla lidhur me mendimet e ndryshme, qoftë edhe debatet e shpeshta që ne kemi me njëri-tjetrin. Por kjo që po ndodh brenda PS-së është thuajse e paimagjinueshme të ndodhë në kampin tjetër, që do të thotë që edhe kjo që po ndodh tek ne është një cilësi e cila është e vështirë nga këndvështrimi pozitiv i pasjes së një demokracie të brendshme ta shikosh të funksionojë në gjirin e autokracisë së djathtë apo të atyre që mendojnë se janë të djathtë. Realisht kemi një debat, i cili ka të bëjë me problematikën e pozicionimit të opozitës brenda gjirit të PS-së, brenda strukturave dhe rregullave sipas meje të pranueshme. Dhe kemi një heshtje në gjirin e së djathtës, e cila pavarësisht se nuk ka dukshmëri, brenda vetes fsheh një dramë të madhe, që unë jam i bindur që kur Sali Berisha të mos jetë më kryetar i saj, kjo dramë do të marrë pamjen e vet më të plotë. Mendoj se kriza e vërtetë e PD-së do të fillojë atëherë kur do të shtrohet pyetja se ç'do të bëjnë pa Sali Berishën.
Si do i përgjigjeni ftesave të Berishës dhe ish-aleatit tuaj Meta për t'u futur në Parlament?
Sinqerisht mendoj se një ministër i Jashtëm ka shumë çështje për t'u marrë në zyrën e tij të punës dhe shumë dashamirësisht do t'i thosha që të merret me problematikën që mbulon Ministria e Jashtme. Gjykoj që është e gabuar që ministri i Jashtëm të merret edhe me marrëdhëniet me opozitën. Nëse Meta nuk do që kritikat që vijnë nga e majta të thellohen karshi tij, mendoj se duhet të gjejë një pozicion të ekuilibruar midis asaj që deklaron se është i majtë dhe faktit që është në një koalicion me PD-në. Do të ishte e pritshme që një parti e majtë që është në koalicion me PD-në, të ishte negociatore për një dialog të pritshëm mes të majtës dhe të djathtës në këtë histori politike që po zhvillohet aktualisht, dhe jo një përforcuese e krizës politike që ekziston aktualisht. Në momentet që po kalon politika shqiptare, nuk mendoj se ka një qëndrim kokëfortë të opozitës për të mos hyrë në Parlament, por ka një kërkesë në vazhdim për një negociatë dhe kjo kërkesë ka të bëjë me një gjest më se normal për atë që e dëgjon në Perëndim, siç është transparenca e kutive të votimit për ato vende ku ka dyshime. Tanimë besoj se është e qartë, se dyshimet nuk vijnë thjeshtë nga PS-ja. Në publik po dalin fakte dhe probleme të natyrave të tjera, të cilat po e rëndojnë këtë histori dhe këtë proces. E përsëris, qëndrimi i opozitës nuk është një kokëfortësi për arsye personale dhe për të krijuar një kauzë që nuk ekziston. Të gjithë janë të qartë në një mënyrë apo tjetër me zë të lartë apo të ulët se hapja e kutive në thelb do të krijonte një problem, do të krijonte precedentin për herë të parë në Shqipëri se numërimi i votave me përgjegjësi të përbashkëta nuk ka qenë asnjëherë korrekt. Mendoj se nuk është herët të thuhet se nga vitet '90 e në vazhdim, gjithmonë zgjedhjet në Shqipëri kanë pasur probleme më vete. Ndaj theksimi nga opozita se transparenca e kutive do të vendosë një precedent në demokracinë shqiptare dhe moralin e qeverisjes në të ardhmen, e bën betejën tonë jo thjesht betejën e së majtës karshi së djathtës, por i jep asaj kufij më të gjerë.
(d.b/GSH/BalkanWeb)