E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forum biznesi Kosovë- Shqipëri

Shkëmbimet ekonomike dhe tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë këtë vit është rritur në 50 për qind krahasim me vitin e kaluar. Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve tona, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e biznesit nga të dy vendet, zëvendëskryeministri shqiptar Ilir Meta  tha se një ndër prioritetet e bashkëpunimit në mes të dy vendeve është krijimi i një sistemi të përbashkët energjetik.

"Investim madhor i cili do të filloj me linjën e transmetimit midis Shqipërisë dhe Kosovës në fillim të vitit të ardhshëm i financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim do të jetë një instrument shumë i fuqishëm për integrimin e dy sistemeve tona energjetike”, tha Ilir Meta, Zëvendëskryeministër i Shqipërisë.

Ndërsa ministri në dorëheqje për Integrime Evropiane i Kosovës, Besim Beqaj tha se të dy qeveritë kanë gatishmëri për të tejkaluar disa barriera ekonomike që janë paraqitur deri tash në bashkëpunimin tregtar midis dy vendeve.

“Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka shënuar rritje. Potencialet të cilat po i shoh këtu dhe potencialet të cilat i kam parë në Shqipëri dhe infrastruktura e cila është krijuar në Shqipëri dhe ajo që po krijohet në Kosovë do të duhej të ishin stimulim më i fuqishëm, më i madh që ekonomitë tona të shkojnë drejt një bashkëpunimi më të fuqishëm dhe integrimit ekonomik. Kur them integrimit ekonomik e kam fjalën për disa barriera që kemi pasur, që janë jo shumë të rëndësishme por të cilat janë barriera për të momentin jo shumë të rëndësishme të cilat duhet të tejkalohen dhe të dy qeveritë tona kanë vullnetin që t’i tejkalojnë ato”, u shpreh Besim Beqaj, Ministër në largim i Integrimeve Evropiane.

Në këtë takim zëvendëskryeministri Ilir Meta ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për ndihmën që kanë dhënë për tejkalimin e situatës së rënduar në Shkodër ps pëmbytjeve.

Shkëlzen Osmani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›