Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani: Gratë e kanë ndërtuar paqen në Kosovë

Mbahet sot në Kosovë edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizuar nën udhëheqjen e Presidentes Vjosa Osmani.
Forumi do të zgjasë deri të martën, më 3 qershor, ku do të marrin pjesë mbi 150 folës nga më shumë se 45 vende të botës, të cilët do të marrin pjesë në më shumë se 30 panele diskutimi.
Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se gratë dhe vajzat shqiptare janë ndërtuese të paqes në etapa të ndryshme kohore, veçanërisht pas mbijetesës së luftës së fundit në Kosovë me shumë humbje.
“Vetëm dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi kanë qenë dëshmitarë të tmerrit që asnjë fëmijë nuk duhet as ta shoh, nënat kanë humbur dhe varrosur fëmijët e tyre si rezultat i luftës. Në kohën më të keqe të vendit, kanë qenë gratë e këtij shteti që kanë mbajtur zemrat tona bashkë. Ato kurrë s’kanë pranuar të shihen si viktima, por si ndërtuese të paqes. Nuk kanë menduar vetëm për lirinë tonë, por për drejtësinë, dinjitetin dhe të ardhmen që ia vlen të jetohet. Ato po vazhdojnë ta bëjnë këtë në çdo ditë që kalon edhe sot”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se paqja nuk nisë kur ndalen armët, por kur nis transformimi, kur mundësia shndërrohet në prosperitet.
“Ne në Kosovë nuk flasim për paqen nga distanca, ne folim për paqen nga pesha e memories dhe me një ndjenjë frike për pikësynimet, dhe me përgjegjësi të thellë për ta përçuar mesazhin ‘kurrë më, kurrë më”, ka thënë Osmani.
Ajo ka folur për rëndësinë e investimeve në fëmijë, si garancë për një të ardhme të sigurtë dhe mos përsëritje të luftës si në të kaluarën. Osmani ka shtuar se duhet të ngrihet zëri i atyre që lufta ka tentuar t’i ndal, të ndërtohet një e ardhme që ka për bazë empatinë dhe jo egonë njerëzore.
Hapjen e Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Prishtinë, e ka bërë Venesa Sulimani, vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyrete Sulimani.
Ajo tha se nënës së saj, Shyretes, i janë dashur 20 vjet qe ta gjejë zërin për të treguar atë që kishte përjetuar.
“Në moshën 4 vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi te luftës. Për 15 vite të gjata, shëndeti im mendor dhe fizik ishte i rrezikuar rëndë. Para dy vitesh që unë vendosa që kjo të mos na shkatërronte më. Lufta ka shumë viktima, madje edhe pasi lufta të ketë përfunduar”, deklaroi ajo.
/rtsh.al/