E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi ekonomik, Topi, tri ditë në Maqedoni

Me ftesë të Presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u nisën dje për një vizitë zyrtare treditore në Republikën e Maqedonisë, në krye të një delegacioni shtetëror me anëtarë të qeverisë, përfaqësues të pushtetit vendor, të kabinetit të Presidentit, si dhe një grup sipërmarrësish të biznesit shqiptar. Kreu i shtetit shqiptar do të mikpritet nga homologu i tij maqedonas, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për tu pasuar me takimin e dy delegacioneve përkatëse zyrtare, ku në qendër të bisedimeve mes dy presidentëve do të jetë thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh, me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta euro-integruese. Presidenti Topi së bashku me Presidentin Ivanov do të marrin pjesë dhe do të përshëndesin në forumin ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar që do të zhvillohet në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dyja vendeve, me synim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve të ndërsjella, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal. Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë një sërë takimesh, si me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski; me kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanoski; me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti; me kryetarin e PDSH-së; Menduh Thaçi; me ish-Presidentin Branko Cervenkovski; aktualisht kryetar i Partisë opozitare LSDM; me kryetarin e Partisë Demokracia e Re, Imer Selmani; me kryetarin e Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti; me rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agron Reka; me kryetarin e Komunës së Dibrës, Argëtim Fida etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›