Ndryshimi i kodit zgjedhor, LSI dhe Milo gati, Gjinushi kundër
Partitë e vogla të dy spektreve politike kanë qenë kundër hartimit të kodit të ri zgjedhor, me të cilin u zhvilluan zgjedhjet e fundit parlamentare. Kryesisht këto parti të vogla shihnin rrezikun potencial që rezultoi real për eleminimin e tyre nga skena politike e parlamentare. Por, ato kanë një mundësi para zgjedhjeve lokale, që të tentojnë të ndikojnë tek dy partitë e mëdha që janë pjesë e Parlamentit, për të ndryshuar këtë kod në favor të tyre aq sa munden. Në këtë moment, vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim është treguar e gatshme për këtë, madje po bën gati propozimet e saj, ndërsa aleatët e PS-së janë të përçarë për këtë çështje. Edmond Haxhinasto, zëvendëskryetar i LSI-së, tha dje se kjo parti po përgatitet seriozisht për të ndikuar në ndryshimet e mundshme në kod sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ne mendojmë që duhet të fillojë sa më parë reforma zgjedhore dhe reforma zgjedhore të shërbejë edhe për realizimin sipas standardeve më të larta të mundshme edhe të zgjedhjeve vendore, - tha Haxhinasto.
Ndërsa kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, nuk ka besim se ftesa e kryeparlamentares Jozefina Topalli për të ndryshuar kodin zgjedhor është e sinqertë. Për më tepër, Gjinushi thotë se standardet e zgjedhjeve nuk ccalojnë për faj të kodit zgjedhor. Është qesharake të shohësh një kryetare të dalë nga vota e vjedhur apo një Kryeministër që bën thirrje për reformë. Kjo është një hipokrizi. Iku koha që të merremi me kodin. Iku koha që të merremi me samarin, kur fajin e ka gjithë kohës gomari, - tha Gjinushi dje në një deklaratë për shtyp. Ndërsa kolegu i tij, kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, mendon se ndryshimi i kodit zgjedhor duhet të jetë në rend të ditës. Unë mendoj që zoti Gjinushi të ketë ndryshuar mendim nga sa ka pasur më përpara në lidhje me kodin zgjedhor. Domosdoshmëria për të ndryshuar kodin zgjedhor qëndron në rend të ditës. Unë mendoj që këtu nuk janë vetëm interesat e partive të vogla, por në radhë të parë janë interesat për të garantuar përfundimisht një proces të ndershëm, - tha Milo.
Ndërsa Haxhinasto mendon se kodi duhet tu shërbejë zgjedhjeve lokale që priten vitin tjetër. Ai tha se sa më parë të fillojë reforma zgjedhore dhe reforma të shërbejë edhe për realizmin sipas standardeve më të larta edhe të zgjedhjeve vendore.