Sondazhi: Politika, fajtore për vonesat në integrimin europian të vendit
Shqiptarët fajësojnë qeverinë për vonesat në procesin e integrimit europian. Sondazhi i publikuar dje nga “Gallup International” tregon se 83% e shqiptarëve të intervistuar mendojnë se qeveritarët kanë përgjegjësi për vonesat në drejtim të integrimit europian të vendit, ndërsa 17% e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian për shkak të politikave të BE-së. Për këtë sondazh është pyetur një kampion prej 1 mijë personash. Nga ky sondazh u vërejt gjithashtu se shumica e të anketuarve nuk duan të jetojnë në Shqipëri, ndërkohë që dy vendet më të preferuara për të jetuar janë Italia dhe Greqia e më pas në renditje vinë SHBA-të, Britania etj. I pranishëm në këtë ceremoni si përfaqësues i TIA-s, Lutfi Dervishi, u shpreh se kriza politike është ajo që pengon integrimin e vendit. Sipas tij, ka një këmbëngulje se krizën do ta zgjidhin ndërkombëtarët, çka do të thotë se ne jo vetëm nuk jemi në vendnumëro, por kemi ecur mbrapa. Po kështu, sondazhi paraqet shifra alarmante edhe përsa i përket nivelit të korrupsionit në vend.
Sondazhi
Sondazhi që u publikua dje në ambientet e Hotel Tirana International nga drejtori Ekzekutiv i "Gallup International", Robert Manchin, vë në dukje se 83% e shqiptarëve mendojnë se fajtore për vonesat e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, sidomos në përpjekjet për liberalizimin e vizave, është politika shqiptare. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ky sondazh nxori në pah dëshirën e madhe të shqiptarëve për t’u larguar jashtë vendit.
Ndryshe nga Kosova, Serbia apo Bosnja, 17% e shqiptarëve të anketuar nuk duan të jetojnë në Shqipëri. Rreth 1/3 e të intervistuarve janë shprehur se Italia është vendi më i preferuar për të emigruar dhe pas kësaj renditet Greqia, SHBA-të dhe Britania. Ndërsa një numër më i vogël personash dëshirojnë të emigrojnë në Kanada.
Përsa i përket standardit të jetesës, pavarësisht krizës ekonomike, vlerësimi pozitiv për standardin e jetesës është rritur me 10% në krahasim me vitin e shkuar, duke arritur në shifrat e 54% të të pyeturve. Një shifër është ndër më të lartat në vendet e rajonit.
Ndërkaq është vënë re se 88% e shqiptarëve mbështesin integrimin europian. Por ajo që njerëzit presin nga integrimi potencial në Bashkimin Europian lidhet me disa nga problemet më emergjente të vendit: njerëzit mendojnë se kjo mund t’u sjellë lëvizjen e lirë, më shumë siguri dhe forcimin e shtetit ligjor. Shifrat janë të larta përsa i përket perceptimit të korrupsionit. Rezultati i përftuar nga testimi mbi elementin e korrupsionit tregon se rreth 52% e të pyeturve u është dashur që të paguajnë nën dorë vitin e shkuar një shifër që mund të konsiderohet më e larta në rajonin e Ballkanit. Niveli i korrupsionit në botën e biznesit duket se e rendit Shqipërinë në treguesit më të ulët të tij ndër vendet e rajonit. I njëjti lloj treguesi është edhe për ndikimin që ka krimi i organizuar në vend. Një zhvillim tjetër pozitiv është identifikimi i opinionit me klasën politike: 63% thonë se një parti apo një politikan i caktuar i përfaqëson pikëpamjet e tyre politike. Tregues ndër më të lartët në rajon dhe në rritje që prej 34% që ishte në vitin 2006. Mbështetja mbi qeverinë, gjithsesi, mbetet mikse: teksa 40% mendojnë se qeveria po e bën shumë mirë punën e saj, 30% mendojnë më pak të efektshme.
Konkluzione
“Gallup International” e ka bërë këtë sondazh edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në konkluzionet e bëra publike theksohet se pavarësisht faktit se vendet e Ballkanit zakonisht diskutohen në grup, në të vërtetë janë vende me diversitet të theksuar. Ky sondazh e reflekton diversitetin që ekziston jo vetëm nga njëri shtet i Ballkanit në tjetrin, por edhe në grupet etnike që jetojnë brenda një shteti. Ata kanë diversitet në mënyrën e të jetuarit, klimën ekonomike, rrugën drejt Europës dhe perceptimin e së ardhmes në vendet e tyre. Vetëm Kosova dhe Shqipëria kanë shumicën e qytetarëve që janë të kënaqur me mënyrën e jetesës dhe besojnë se vendet e tyre po ecin në rrugë të mbarë. Kriza ekonomike ka prekur në mënyrë të dukshme këtë rajon. Shumica e të intervistuarve e shikojnë krizën ekonomike që ka prekur në mënyrë negative jetesën në shtetin e tyre.
Rezultati
83% e shqiptarëve mendojnë se politika është përgjegjëse për vonesat e integrimit
88% e shqiptarëve mbështesin procesin e integrimit europian
17% e shqiptarëve dëshirojnë të largohen jashtë shtetit për të punuar
1/3 e të intervistuarve janë shprehur se Italia është vendi më i preferuar për të emigruar
52% e shqiptarëve pohojnë se kanë dhënë ryshfet
63% e shqiptarëve thonë se një parti apo një politikan i caktuar i përfaqëson pikëpamjet e tyre politike
40% e shqiptarëve mendojnë se qeveria po e bën shumë mirë punën e saj
30% e shqiptarëve mendojnë më pak të efektshme punën e qeverisë
20 Shkurt 2010