E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i Biznesit, Topalli: Shqipëria do vazhdojë implementimin e politikave lehtësuese ndaj investitorëve

21-11-2011 / Gazeta 55

Në Tiranë po zhvillon punimet Forumin e dytë i Biznesit të Detit të Zi


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar sot se Shqipëria do të vijojë me politikat lehtësuese ndaj biznesit dhe thellim të partnershipit mes tij dhe legjislativit si një kusht themelor për zhvillimin e vendit.


Duke folur në forumin e dytë të biznesit të Detit të Zi që po zhvillon punimet në Tiranë, kryeparlamentarja Topalli është ndaluar edhe në masat efikase të ndërmarra nga qeveria, që bënë të mundur shmangien e krizës, në një kohë, kur sipas saj vendi rrethohet nga kriza. “Ne jemi vend i vogël, por me ambicie të madhe, kemi humbur shumë kohë, por shqiptarët janë popull me energji të madhe dhe të jashtëzakonshëm. Dy janë shtyllat kryesore në të cilat u angazhuam, ulja e dy mureve, ulja e barrës burokratike dhe barra fiskale”- u shpreh Topalli. 


Kryetarja e Kuvendit shtoi gjithashtu se vetëm gjatë viteve të fundit është hequr 2/3 e licencave dhe lejeve dhe pjesa e mbetur është vendosur në “One Stop Shop”. 


Sipas saj Shqipëria ka aplikuar një model ekonomik përpara se të niste kriza, që ka rezultuar e suksesshme duke patur parasysh uljen e taksave, lirinë fiskale, administratën e vogël dhe investimet në infrastrukturë.


Forumi i dytë i biznesit të Detit të Zi  i cili do të zhvillojë punimet treditore në Tiranë, do të ketë në fokus temat kryesore si “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit-shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, “Përmirësimi i sistemeve tatimore në shtetet anëtare të PABSEC-ut” dhe “Çështjet kulturore, arsimore dhe sociale”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›