Milo, Gjinushi dhe Dule, skeptikë për bashkëpunim konkret me kreun e opozitës
Aleatët e PS rrisin dyshimet ndaj Edi Ramës
Aleatat e vegjël të PS, rrisin dyshimet mbi një mos përfillje nga Edi Rama, gjatë diskutimeve në komisionin parlamentare të reformës zgjedhore, për sa i takon ligjit të ardhshëm elektoral. I pari që shprehu skepticizëm ishte kreu i PDS-së, Paskal Milo, i cili jo më larg se dy ditë më parë tha se “Rama duhet të dëgjojë aleatët e tij, mbi modalitet që do të diskutohen në tryezën gjithëpërfshirëse. “Ne kërkojmë të dëgjohen edhe sugjerimet e partive të vogla”, u shpreh Milo, gjatë një komunikimi me mediat.
Milo iu drejtua Ramës, që të mos neglizhojë zërin e partive të vogla. “Në fillim të javës do të mblidhen të gjitha partitë kryesore, parlamentare dhe jo parlamentare të ashtuquajtura parti të vogla, ku do të diskutojmë rreth qëndrimeve të përbashkëta dhe mesazhit që do t’i adresojmë dy partive të mëdha, për të pasur në konsideratë kërkesat tona të drejta, në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. PS dhe PD duhet t’i dëgjojnë kërkesat e aleatëve, pasi me këta aleatë do të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh Milo.
Të njëjtin shqetësim kanë shprehur edhe krerët e PSD-së, Skënder Gjinushi, i PBDNJ-së, Vangjel Dule si dhe ai i PSV ’91, Petro Koçi. Korrigjimi i sistemit aktual zgjedhor është kërkesa e të vegjëlve.
Sipas Milos, kjo arrihet edhe pa ndryshuar Kushtetutën. “Nuk jemi për ndërrimin e sistemit. Je jemi për sistemin aktual proporcional/rajonal, por që të futet elementi i korrektimit kombëtar. Pra, në llogaritjen e mandateve të gjendet një formulë që pa prekur Kushtetutën lejon një proporcional, në llogaritjen e votave në shkallë kombëtare, në llogaritjen e mandateve. Që do të thotë se, votat që marrin partitë në shkallë kombëtare, të mos shkojnë dëm dhe në favor të dy partive të mëdha, por të shkojnë atje ku janë adresuar që në fillim nga vullneti politik i shqiptarëve që votojnë këto parti”, tha më tej ai.