E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi i Biznesit, Topalli: Shqipëria do vazhdojë politikat lehtësuese ndaj investitorëve

22-11-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë punimeve të “Forumit-2 të Biznesit të Detit të Zi”, u shpreh për vazhdimin e politikave fiskale lehtësuese për biznesin dhe thellim të partnershipit me të, si kusht për zhvillimin ekonomik të vendit. Në fjalën përshëndetëse, mbajtur dje në çelje të sesionit të 38-të punimeve të PABSEC(Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi), e mbledhur në Tiranë, kryeparlamentarja bëri një pasqyrë të situatës në vend, duke u ndalur në masat efikase të ndërmarra nga qeveria, që bënë të mundur shmangien e krizës, në një kohë, kur sipas saj, vendi rrethohet nga kriza. “Jemi mbledhur në këtë platformë me qëndrim të veçantë, sepse kemi kuptuar se platforma në të cilën realizojmë partnershipin mes biznesit, ekonomisë dhe politikës, është më efektive”- u shpreh Topalli. Sipas saj, Shqipëria është një vend i vogël, por me ambicie të madhe. “Ne kemi humbur shumë kohë, por shqiptarët janë popull me energji të madhe dhe të jashtëzakonshme. Dy janë shtyllat kryesore në të cilat u angazhuam, ulja e dy mureve: e barrës burokratike dhe e barrës fiskale”- theksoi kryetarja e Kuvendit. “Kemi ulur shumë taksa dhe pastaj kemi vendosur taksën e sheshtë, duke bërë të mundur që të ecim drejt një rritje më të madhe lirie fiskale në vend. Nga viti 1990 deri në vitin 2005 në Shqipëri kishte 35 milionë dollarë investime direkte. Pothuajse asgjë. Por, në vitin 2010 kjo shifër arriti në 1 miliardë dollarë investime të huaja. Besoj, se një ndër shkaqet e inkurajimit ka qenë eliminimi i barrës burokratike dhe ulja e barrës fiskale, liria fiskale. Ne kemi punuar fort në parlament për reformën fiskale, ashtu siç kemi bërë që të kalojnë ligje të rëndësishme si ai “Për koncesionet”, “Për shoqëritë tregtare”, etj”- u shpreh Topalli në punimet e forumit të 2-të të biznesit të PABSEC.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›