Kreu i KLSH/Paloka: Optimist se grupi demokrat do miratojë kandidaturën e z.Leskaj

Kërcënimet e PS, për prishje të marrëveshjes politike, deputeti demokrat i konsideron si arsyetime banale, pasi sipas tij qarku i Fierit (ku PS humbi shumicën) dhe Parlamenti, s’kanë asnjë lidhje mes tyre
Edhe pse grupi parlamentar i Partisë Demokratike ende s’ka marrë një vendim zyrtar në lidhje me kandidaturën e propozuar nga Presidenti, për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deputeti demokrat dhe njëherazi nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka shprehet optimist për të votuar kandidaturën e Bujar Leskaj. E sigurt është, sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar Paloka, se Leskaj është një demokrat ashtu si Sali Shehu, por ndryshe nga dekreti i rrezuar, i dekretuari i ri, përmbush kriterin profesional, teksa mban dhe gradën e doktorit të shkencave ekonomike. Paloka gjeti me vend të sqarojë dhe një here se qëndrimi ndaj Shehut nuk ishte personal, por ashtu si dhe për të edhe për Leskajn do të ketë një qëndrim grupi. Ndonëse u rezervua në detaje, Paloka la të kuptohej se nuk kanë munguar konsultimet për këtë emër. “Do të merret një vendim grupi, si gjithmonë për raste të tilla dhe në bazë të atij vendimi grupi, do të veprohet. Për z.Leskaj, personalisht unë mund të them se mendimet janë mjaft pozitive tek të gjithë ne si kolegë, por edhe më tej. Por, gjithmonë ka një vendim grupi”- u shpreh Paloka. Deputeti i PD komenton dhe deklaratën e bërë pak ditë më parë nga kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi i cili paralajmëroi prishje të marrëveshjes mazhorancë – opozitë nëse nuk zgjidhet situata në qarkun e Fierit. Paloka thotë se këto janë dy zhvillime që nuk mund të kushtëzojnë njëra tjetrën. “Së pari mua nuk më duket normal qëndrimi i z.Ruçi, pasi nuk kanë lidhje dy problemet. Qarku i Fierit, ka procedurat e tij dhe parlamenti ka procedurat e tij. Është njësoj si t’i thuash parlamentit se, nëse nuk fiton Bajerni (Bayern) këtë fundjavë, atëherë ne prishim marrëveshjen. Unë po e banalizoj, për të lënë të kuptuar se sa lidhje kanë këto dy çështje që pretendon Partia Socialiste”- tha deputeti Edi Paloka. Ai vuri në dukje se gjithçka është çështje votash, edhe në Qarkun e Fierit ashtu si dhe në disa të tjerë, nuk është faji i demokratëve që rrjedhin votat e opozitës, por është përgjegjësia e kësaj të fundit që nuk i garanton ato. Në seancën e së enjtes, pasi ka komentuar votën e tij kundër Kodit Detar, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi tha se situata në qarkun e Fierit po çojnë drejt prishjes së marrëveshjes politike të arritur mes mazhorancës dhe opozitës.
...