E Shtunë, 31 Tetor 2026

Foto-diplomacia

Nuk janë larg ato kohë kur dhe ish-Presidenti i Republikës dhe ish-kryeministri, Sali Berisha, kthehej nga udhëtimet e tij jashtë shtetit, përherë i shoqëruar, përveç shpurës me zyrtarë, edhe nga një kameraman e gazetar zyrtar të RTSH-së, dhe brenda ditës, ‘live’, si thuhet tani, nëpër të gjitha ekranet shqipfolëse shfaqej të rrëfente me zë e figurë se kujt i kishte pas dhënë dorën në ndonjë holl a korridor, d.m.th. cilin personalitet të lartë kishte takuar dhe ftuar të mirësevinte në Shqipëri. E gjithë kjo përpjekje propagandistike sajohej për t’u treguar dhe “provuar me fakte” shqiptarëve se udhëheqësi i tyre historikokarizmatik jo vetëm që gëzonte adhurimin e nënshtetasve të vet, por edhe të kancelarive dhe të udhëheqësve të mëdhenj të botës, të cilët medemek e çmonin dhe e nderonin si një partner dhe si figurë të shquar të rajonit e më gjerë... Politika e jashtme, në shumicën e rasteve është (keq)përdorur më shumë për të siguruar e përfituar kapital vetjak politik, sesa për interesa kombëtare. Por sa ka funksionuar mbi psikën e qytetarëve dhe ç’produkt elektoral mund të ketë sjellë kjo lloj regjisure demode, e tejngopur me foto dhe me filmime të tilla të narcisizmit politik, e denjë për popuj të mbyllur e të pacivilizuar, të cilët i lyejnë fytyrat me bojëra, sepse nuk e shohin dhe nuk e perceptojnë dot realitetin me sytë e tyre, as me pasqyrat e veta, po me sytë e të huajve? Shumica e shqiptarëve shërbimin diplomatik e shohin si një strehë të klientëve dhe familjarëve, të udhëheqësve, sesa si një shërbim të çmuar e të pazëvendësueshëm të kombit. Derisa foto-diplomacinë, si një mënyrë e politikëbërjes dhe e komunikimit me publikun e patën përvetësuar jo pak politikanë të tjerë, të të gjitha krahëve, duke nxjerrë, herë pas here, pas supeve, gjoja “rastësisht”, gjatë ndonjë interviste në zyrë a nëpër studio vetjake edhe ndonjë foto me filan udhëheqës botëror, mundësisht me Papën e, daha më mirë, me Bushin, me Toni Blerin apo me gjeneralin Klark, kjo provon më së miri se tek ne, në këta 23 vjet pluralizëm, shërbimi diplomatik nuk vlen më shumë se një foto me një personalitet botëror... Kjo ka pas qenë një praktikë e qëllimshme, aspak e rastësishme dhe, natyrisht, as spontane. Ky quhet “sukses diplomatik”. Një sukses që shërben për të manipuluar e për t’iu hedhur hi syve qytetarëve të këtushëm. Gazetat amerikane madje kanë pohuar e provuar që jo pak liderë të vendeve të treta, ndër ta autokratë e diktatorë, paguajnë sa frëngu pulën për të siguruar foto të tilla “çudibërëse” për publikun e tyre. E shqipëruar, kjo tendencë synon të bindë publikun se Evropa dhe SHBA e duan, e nderojnë dhe e përkrahin bash këtë udhëheqës dhe jo këtë tjetrin, ndaj edhe ju shqiptarët e zakontë duhet të dëshmoni të njëjtën dashuri, mirëbesim e përkushtim ndaj tyre me votë. Përdorimi kaq i shpeshtë i kronikave me të tilla foto-diplomaci, pa burim e pa protokoll zyrtar, i duarshtrëngimeve të rastësishme me udhëheqës botërorë nëpër samite, pamje që në të vërtetë vlejnë për marrëdhëniet midis shteteve, ku e ku më pak se një autograf i rrëmbyer fluturimthi nga ndonjë artist a sportist i shquar, provon se politikanët tanë janë të bindur se kanë të bëjnë me një popull të pagdhendur, të cekët e miop, i cili, për shkak “të mungesës së theksuar të kulturës demokratike” është i prirur të hajë sapunin për djathë, teksa i beson, sipas tyre, më shumë dukjes se thelbit, iluzionit optik se realitetit, gënjeshtrës se të vërtetës, reklamës se qenies. Se, afërmendsh, sa do të ndikonte te një francez apo italian, nëse kryeministri i tyre do të mburrej kësisoj, duke treguar, për të sugjestionuar popullin, të tilla foto, qoftë edhe pranë oxhakut presidencial me Obamën? Dhe pyetja tjetër: Ç’përfitime janë vjelë nga këto foto-diplomaci? Tejngopja e publikut me foto-diplomaci në fakt ka shkaktuar alergji mbarëkombëtare. *** Pas Berishës, zonja Topalli do të mbahet mend si kryetarja e Kuvendit që e pasuroi albumin e saj më shumë se kushdo me foto dhe video, anekënd botës, duke krijuar, për të justifikuar shpenzimet e udhëtimeve të saj të pafundme turistike, edhe termin “diplomaci parlamentare”... Ndoshta më e saktë do të kishte pas qenë të quhej fotodiplomaci; të gjitha ato, si veprimtari, nesër do të kenë vlerë vetëm për albumin familjar, pasi nuk u kanë sjellë asnjë dobi vendit dhe shoqërisë. Mungesa e dobisë prej këtyre vizitave pa bukë, në tetë vjet, pra kjo lloj “diplomacie parlamentare”, ishte një nga arsyet qenësore përse “u shpërblye” me votë negative më 23 qershor kjo kastë të vetëdehurish. Sepse t’i tregosh një populli të vuajtur e të uritur, që nuk ka punë, që i rrezikohet familja nga uria e ngujimi, nga hakmarrja e gjakmarrja, nga krimi dhe nga skamja, duke i thënë përditë: shiko se ku kam shkuar, shiko ku kam hipur, shiko sa lart jam ngjitur, shiko se si po jetoj dhe se si po e shëtis unë botën..., kjo, sigurisht, i kalon kufijtë e cinizmit, talljes e përçmimit. Edhe feja, pale morali njerëzor, këtë mëkat e quan nga më të pafalshmit: t’i vrasësh sytë të vuajturit e të uriturit me luksin dhe me mirëqenien tënde! Por krerët tanë nuk e njohin përunjësinë. Ata nuk e dinë që ne jemi popull i vogël që e njohim njëri-tjetrin me rrënjë e me degë. E dimë nga je, i kujt je, si ke pas qenë e ku je tani... Por ata nuk jetojnë këtu, mes nesh. Në të kundërt ata bëjnë gara me njëri-tjetrin me vila, me marka makinash të shtrenjta, me fjalë në erë, me kostume e kollare firmato, e, mbi të gjitha, edhe me foto të tilla “historike”, me të cilat hakaten të na bindin se tanimë janë jo vetëm të shquar e të njohur nëpër botë, por edhe se i përkasin një dere të fisme, si me qenë denbabaden fisnikë, aristokratë të vërtetë!... Megalomanë e shtinjakë të tillë nuk ka pas njohur e provuar kurrë populli shqiptar! Vetëm njerëzit e dehur me veten e përdorin këtë mënyrë primitive manipulimi të komunikimit me publikun, pa e ditur se një ditë do të ndëshkohen me bumerang. Falë kësaj mendësie prej politikani provincial, anadolloballkanik, mendësi që i ngjan atij të një katundari trushkulur që e shet tokën e bukës për të blerë një “Benz”, mjaft që t’ia shohin në oborr bashkëfshatarët, ne nuk e fituam statusin e vendit kandidat. Kemi mbetur më të fundit e rajonit në këtë proces të pakthyeshëm historik. Por ama jemi të parët për korrupsion dhe, së fundi, ja ku dolëm edhe kampionët e Evropës për kultivimin e trafikimin e drogës... Lazarati nxjerrka të ardhura po aq sa shteti! Një katund është më i pasur dhe më i fuqishëm se vetë shteti dhe policia e tij, e trajnuar nga ndërkombëtarët... Por për këtë gjendje të turpshme nuk i bren ndërgjegjja; përkundrazi, krerët na shfaqen krenarë e fodullë si të kenë pas qenë misionarë “historikë”, ndaj të cilëve duhet të mbetemi përjetësisht mirënjohës! *** Foto-diplomacia e nivelit qeveritar ka krijuar fotokopjen e vet edhe në Ministrinë e Jashtme, e cila ka qenë dhe ka mbetur streha e militantëve, e klientëve partiakë, e nepotizmit, e dhëndurëve, e nuseve dhe, mbi të gjitha, e sekserëve profesionistë... Nëpër selitë e ambasadave tona ndodh që jo vetëm sekretari, por edhe shoferi rëndom të jetë më i fuqishëm se ambasadori, ashtu si gruaja e këtij të fundit mund të bëjë punën edhe të pastrueses për të siguruar një të ardhur financiare më shumë. Nëse ambasadat janë emërtesa të preferuara qokash, ambasadorët përdoren si ura të trafikimit të influencës, si aparate fotografike të shefave të këtueshëm nëpër kancelaritë përkatëse... Puna e tyre nuk vlerësohet se ç’bëjnë ata për Shqipërinë, po sa foto (vizita) të tilla “historike” me duarshtrëngime, qoftë edhe rastësore, kanë mundur të sigurojnë për krerët e tyre në Tiranë... Skandali i ambasadorit tonë në Arabinë Saudite që i shërbente “me fakse dhe e-maile” djalit të shefit të tij të madh, është një nga këto raste tipike... Për të mos përmendur letrën e ambasadorit tonë në SHBA, që kaloi para syve të publikut dhe të qeverisë si shiu i verës... Sherret dhe grindjet nëpër ambasadat tona janë më të shëmtuara se ato që shohim në Kuvend... Para disa vitesh u nxor një rregullore e brendshme, ku shoferi “ngarkohej” të kontrollonte benzinën e ambasadorit për të mos e lejuar këtë të fundit të abuzonte me tollonat. Në Washington një shofer i tillë, mik i ministrit, i shfrynte pa drojë gruas së ambasadorit, kur kjo i lutej që, së paku, kur të shkonin në pritje zyrtare, ai duhej t’i hapte derën se kështu e lypte protokolli. “E ç’ke ti më shumë se unë?... Kush kujton se je që të të hap unë derën?” Për arsye se diplomacia e Kosovës është më me pak përvojë në allishverishe të tilla, ku ditët e fundit janë “fotografuar” skandale “shembullore”, të papërfytyrueshme edhe për vendet më të prapambetura të Afrikës. Një zv/ambasador në Kroaci është arrestuar se ka bërë “spektakël” me makinën e tij rrugëve të kryeqytetit, i dehur. Kurse një ambasador tjetër është rrahur në zyrë nga sekretarja; ndërsa në Zvicër, një tjetër sekretare, edhe më “moderne”, është fotografuar duke i pritur vizitorët me “stil amerikan”, me këmbët përpjetë, mbi tryezë, teksa lexonte revistat e modës... Nëse do të kuptosh se ç’fytyrë ka një shtet dhe përfaqësuesit e tij më të lartë, nuk është e nevojshme “të fotografosh” e të intervistosh krerët më të lartë të shtetit, të shohësh si janë veshur, si të qeverisin, si buzëqeshin, si komandojnë, ç’thonë e ç’mendojnë ata për demokracinë, për reformat e sukseset e tyre “historike”, etj., etj., por mjafton të kalosh nëpër një doganë, të gjendesh përballë një polici a doganieri, të shtrohesh në spital publik, të jesh disa minuta në oborrin e pasmë të një shkolle, le më të hysh në një përfaqësi diplomatike, që të kuptosh, nëpërmjet kopjes, modelin qeverisës të një vendi. Një polic trafiku i tha i keqardhur një mikut tim, pasi i kontrolloi dokumentet dhe nuk i gjeti asnjë shkelje: “Po ti, goxha burrë, nuk ke turp? Për një dy mijë lekësh e ke vënë rripin?” Prandaj problemi ynë nuk është si të grisen këto fotografi, që tregojnë fytyrën e vërtetë të shtetit, as si “të thyhet” aparati mediatik që realizon e fikson të tilla “ngjarje” ‘made in Albania’, por si të ndërtohet një sistem që ta nxjerrë përfundimisht jashtë loje këtë foto-diplomaci me tipare perverse, për të mos thënë edhe antikombëtare. Në një nga intervistat e para, pas 23 qershorit, Rama ka premtuar se kabineti i tij nuk do të lejojë të filmohen mbledhjet e qeverisë, ku merren vendime e ku më së pari shahet, përbaltet e poshtërohet opozita... Kjo, sipas tij, nuk do të ndodhë as në Kuvend. Edhe pse deklarimi në fjalë është një shenjë pozitive që premton ndryshim rrënjësor në komunikim me publikun, nuk mjafton vetëm të mos fotografohen krerët teksa punojnë, notojnë, ngjiten në Dajt apo te Muri kinez, udhëtojnë jashtë shtetit, molloisin kundër njëritjetrit, por lipset që “aparati fotografik” të fokusohet në punët publike, në detyrimin që kanë, si nëpunës, për të shërbyer me përunjësi dhe jo për t’u shëlbyer, aq më pak për t’u shpërblyer me mirënjohjen tonë të përjetshme, si ka synuar, deri më sot, kjo lloj foto-diplomacie ballkan-dolle.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›