E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxha Bashkepunim me ALUIZNIN per verifikimin e ndertimeve pa leje

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot, Inspektoriati ka prishur një ndërtim pa leje në rrugën “Pëllumb Sekeja”, i ndërtuar ditët e fundit në njësinë bashkiake nr.3. Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, z. Florenc Hoxha ka bërë të ditur se Inspektoriati ka identifikuar disa ndërtime pa leje të cilat do jenë në shënjestër të prishjes në ditët në vijim.

“Ne do të vijojmë aksionet tona edhe në ditët e ardhshme, siç kemi vepruar edhe ditët e kaluara, deri në goditjen e çdo objekti informal të ndërtuar në kundërshtim me ligjin, brenda territorit të kryeqytetit“ – u shpreh z. Hoxha.

Zoti Hoxha ka bërë të ditur se pas verifikimit të deklarimit pranë ALUIZNI-t të disa objekteve të ndërtuara pa leje, janë konstatuar deklarime në kundërshtim me ligjin të cilat do të prishen.

“Kemi identifikuar edhe disa ndërtime të cilat kanë bërë deklarimin pranë zyrave të ALUIZNI-t, në kundërshtim me ligjin. Këto ndërtime do të jenë objekt i punës sonë në ditët e ardhshme dhe do të “goditen” nga ana jonë, me forcën e ligjit për t’i kthyer në gjendjen e mëparshme. U bëjmë edhe njëherë thirrje qytetarëve të Tiranës, që të na kuptojnë, të na ndihmojnë, duke kuptuar forcën e zbatimit të ligjit. Ne jemi të vendosur, ky është vullneti ynë, kjo është forca jonë për të zbatuar ligjin dhe nuk do tolerojmë asnjë ndërtim pa leje brenda territorit të bashkisë së Tiranës” – përfundoi drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›