Fotoalbumi i një tjetër dite Europe në Tiranë

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Shqipëria mirëpriti sot në Pallatin e Brigadave një tjetër ditë Europe, me zhvillimin e Samitit për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE-së”, që mblodhi në një tryezë të vetme krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë të Komisionit Europian dhe institucioneve rajonale.
Samiti u përqendrua te dinamika e re e integrimit ekonomik, qasja e përbashkët drejt tregut të vetëm të BE-së dhe transformimi i rajonit në një hapësirë më konkurruese, më inovative dhe më të qëndrueshme, në përputhje me objektivin afatgjatë të konvergjencës me Bashkimin Europian.
Në hyrje të Pallatit të Brigadave, kryeministri Edi Rama priti njëri pas tjetrit të ftuarit e lartë, ndër ta Komisioneren Marta Kos, kryeministrin në detyrë të Kosovës Albin Kurtin, kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajić, kryeministren e Bosnjë-Hercegovinës Borjana Kristo, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe kryeministrin e Serbisë Đuro Macut. Punimet e samitit u çelën me fjalën e Kryeministrit Rama dhe Komisioneres Kos, ndërsa pas përfundimit të diskutimeve ata dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fjalën e tij hapëse, Kryeministri Rama theksoi se rajoni po lë pas imazhin e pasigurisë dhe po shfaqet sot si një hapësirë mundësish, ku reformat dhe investimet po dëshmojnë se Ballkani Perëndimor nuk është pika e dobët e kontinentit, por shansi i ri i Europës. Ai nënvizoi se vendet e rajonit synojnë të integrohen në Bashkimin Europian jo si përfitues pasivë, por si kontribues realë për sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen e përbashkët evropiane, duke shtuar se stabiliteti i Ballkanit është një vlerë e drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u bëri thirrje vendeve të rajonit të ecin me të njëjtin ritëm reformash në procesin e integrimit, duke theksuar se objektivi i Bashkimit Europian është përparimi paralel i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të plotë. Ajo kujtoi afatin e qershorit për përmbushjen e angazhimeve të mbetura, duke paralajmëruar se rreth 300 milionë euro mund të rrezikohen nëse ritmi reformues ngadalësohet, fonde që mund të përkthehen në investime konkrete si linja tramvaji, rrugë, shkolla e spitale.
Kos theksoi gjithashtu se një treg i përbashkët rajonal ka potencialin të rrisë ekonomitë e vendeve me deri në 10% dhe se mungesa e progresit mund të kufizojë qasjen në tregun unik të BE-së. Reformat, sipas saj, përshpejtojnë negociatat dhe i afrojnë ekonomitë e rajonit me standardet e një hapësire prej 450 milionë konsumatorësh, duke i treguar vendeve anëtare se Ballkani Perëndimor është i gatshëm për një fazë të re integrimi.
Me zhvillimet e tij kulturore, gjeostrategjike dhe njerëzore, Ballkani Perëndimor vijon të konsolidojë kursin drejt Bashkimit Europian, ndërsa forcimi i integrimit në tregun e vetëm shihet si një hap transformues që nxit inovacion dhe rritje të qëndrueshme, duke krijuar një bazë solide për afrimin ekonomik me BE-në.
Pas mbylljes së takimit, Kryeministri Edi Rama publikoi fotoalbumin e kësaj dite të rëndësishme europiane në Tiranë, duke sjellë atmosferën e mbërritjeve, punimeve dhe bashkëbisedimeve që shënuan një tjetër hap përpara në rrugëtimin e përbashkët të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian.
“Fotoalbumi i një tjetër dite Europe në Tiranë”, u shpreh Rama.
1 nga 32/r.e/a.f/