E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moti i keq, Policia evakuon pesë banorë në Dimal

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se u ka shkuar në ndihmë disa banorëve, të cilët janë prekur nga përmbytjet, si pasojë e shirave të dendur që përfshinë vendin këto ditë.

Policia njoftoi se gjatë ditës së sotme në bashkëpunim edhe me emergjencat civile të bashkisë Dimal, ndërhynë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuar pesë shtetas, ndërmjet tyre një të moshuar 100-vjeçare nga fshati Çiflik.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje.

Policia njoftoi më tej se “prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit”.

Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore njoftoi se ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në rast nevoje.

“Gjithashtu, specialistët e Policisë në zona janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje”, njoftoi policia.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›