Fotografia si proces i punës
Janë 21 artistë që do të garojnë për një çmim që ka vlerë një mijë euro e që mban emrin e fotografit të njohur shqiptaro-amerikan Gjon Mili. Ky është edicioni i dymbëdhjetë i ekspozitës ndërkombëtare të fotografisë, çmimi ‘Gjon Mili’, që do të hapet sot (e premte), në ora 20:00, në Galerinë e Artëve të Kosovës.
Detaje rreth ekspozitës u shpalosën në konferencën për media, që u mbajt të enjten në GAK, në të cilën folën Erzen Shkololli, drejtor i GAK-ut, dhe Christine Frisinghelli, kuratore e ekspozitës. “Unë kam nderin që nesër do të jemi nikoqir të kësaj ekspozite dhe do të kemi mundësinë që t’i shohim 21 artistë të cilët kuratorja Christine Frisinghelli i ka përzgjedhur gjatë kërkimit të saj”, tha Shkololli. Ai shtoi se ndryshimi i këtij edicioni është që fotografët kosovarë do të prezantohen së bashku me artistë të huaj dhe emra të rëndësishëm në fushën e fotografisë. Po ashtu, ndryshe prej viteve të kaluara, sivjet artistët nuk do të prezantohen me nga një fotografi por me seri të fotografive.
Ndërkaq, kuratorja e ekspozitës, Christine Frisinghelli, u shpreh se ishte interesante për të të kurojë një ekspozitë që do të përfshijë artistë nga Kosova dhe të huaj. Ajo tha se është munduar të zgjedhë një koncept kuratorial, i cili është i hapur për të ftuar fotografët të pranojnë konkursin dhe në të njëjtën kohë një koncept, i cili do të tregonte qëndrimin e saj ndaj fotografisë.
“Unë punoj me këtë medium për shumë vite me radhë dhe çfarë do të shihni është përgjigja ime ndaj fotografisë bashkëkohore në Kosovë. Unë isha shumë e interesuar të përfshija punë dhe pozita të ndryshme dhe në këtë edicion të Gjon Milit do të mund të gjeni fotografi të cilat kanë qëndrim gazetaresk ndaj fotografisë dhe që reflektojnë mbi historinë e vendit por poashtu edhe punë të cilat janë më personale. Për mua fotografia është një proces i punës dhe reflektim mbi koncepte të ndryshme. Pra unë kam vendosur që në ekspozitë të përfshij artistët të cilët ekspozojnë një seri të fotografive dhe me punën e tyre ofrojnë dhe hapin një kanal komunikimi me publikun”, tha Frisinghelli. Ajo shtoi se ky edicion ka edhe një mbulesë dhe vëmendje të madhe nga mediet e huaja. Frisinghelli përmendi se Suzana Milevska, kritike e artit nga Shkupi, do të shkruajë një kritikë të ekspozitës, e cila do të publikohet në revistën prestigjioze të fotografisë ‘Camera Austria’. Poashtu, Frisinghelli është ftuar të nominojë tre fotografë kosovarë të marrin pjesë në “Platform 13” të Winterthur Foto Museum në Zvicër, që është projekt i dedikuar në prezantimin e punës së fotografëve të rinj nga e gjithë bota.
Në fund, Frisinghelli tha që ardhja e artistëve të huaj në Kosovë paraqet një hap për ndërtimin e një platformë për bashkëpunim dhe shkëmbim artistik në të ardhmen.
Ekspozita “GjonMili” do të qëndrojë e hapur deri më datë 7 tetor. Në ekspozitë do të marrin pjesë 21 artisë nga Kosova dhe të huaj nga fusha e fotografisë. Artistët pjesëmarrës janë: Ahlam Shilbi, Allan Sekula Annete Kelm, Arno Gisinger, Astrit Ismaili, Blerim Rracaj, Flaka Haliti, Jetmir Idrizi, Hans Peter Feldmann, Iosif Kiralt, Karina Nimmerfall, Kushtrim Tërnava, Lala Meredith Vula, Lulzim Zeqiri, Sabinne Bitter/Helmut Weber, Sabine Tmava-Billi, Shadi al Shadeh/Roza el Hasan, Shkurte Ramushi, Tomoko Sawada, Vigan Nimani, Zanele Muholi.
Koncepti kuratorial i këtij edicioni të ekspozitës ‘Gjon Mili’ është ‘Koha, vendi dhe kamera: fotografia si proces i punës’.
Juria profesionale në përbërje të: Silvia Eiblmayr, historiane arti, Veton Nurkollari, fotograf dhe një prej themeluesve të DokuFestit, dhe Walter Seidl, kurator, shkrimtar dhe artist, do të përzgjedhë fituesin, të cilit do t’i ndahet shuma prej një mijë euro.
Ekspozita ndërkombëtare “Gjon Mili ” u iniciua më 2001 si iniciativë e përbashkët e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe Michael McLallen nga zyra e atëhershme e SHBA-së në Prishtinë. Ideja fillestare ishte që të krijohej një ekspozitë tradicionale në formë të konkursit për fotografi që do të mblidhte artistët e fotografisë me vepra të reja. Kjo iniciativë rezultoi me ekspozitën vjetore që vazhdon për njëmbëdhjetë vite me radhë dhe ka arritur reputacionin si ekspozita dhe gara më e rëndësishme për artin e fotografisë në Kosovë.