E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohen para për fëmijët autikë

Fondacioni: Mos bini pre e mashtrimeve

Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” u bën apel qytetarëve të mos bien pre e mashtrimit të disa personave, të cilët duke u paraqitur si përfaqësues të fondacionit trokasin pranë familjeve në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe kërkojnë para për fëmijët autikë. Në një deklaratë për shtyp, fondacioni “Fëmijët shqiptarë” me presidente zonjën Liri Berisha, thekson se këto veprime janë krejtësisht abuzive dhe këta individë nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin e fondacionit. Gjithashtu, fondacioni kërkon nga strukturat përkatëse që kryesisht të hetojnë këto veprime abuzive. “Prej disa vitesh fondacioni ‘Fëmijët shqiptarë’, organizatë jo-qeveritare e jo-fitimprurëse, dhe personalisht zonja Berisha i kanë dedikuar kohën dhe vëmendjen maksimale fëmijëve me çrregullime të spektrit autik dhe familjeve të tyre. Puna ka qenë e përqendruar në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për këto çrregullime dhe në ofrimin e shërbimeve për fëmijët e familjet e tyre. Veprimtaria e fondacionit është mbështetur fuqimisht nga donacionet direkte të biznesit shqiptar e atij të huaj si dhe nga shumë organizata partnere ndërkombëtare. Kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e strukturuar, institucionale dhe transparente, gjë e cila ka ndihmuar fondacionin të ketë arritje pozitive si në rrafshin kombëtar, në atë rajonal e më gjerë”, - thuhet në deklaratën e fondacionit. Aktualisht, fondacioni “Fëmijët shqiptarë” gjendet në momentet më intensive të punës për përfundimin e Qendrës Rajonale të Autizmit në Shqipëri dhe shumë pranë datës të inaugurimit të saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›