E Diel, 1 Nëntor 2026

Fqinjësia e mirë, sinqeriteti, korrektësia dhe Slloba i vogël, pa dyshim janë si uji e vaji

19-05-2012 / Nga Ali Cenaj

Sigurisht as ju nuk jeni befasuar pse dje, lajmi për sulmin terrorist të personave të panjohur, por “të përkatësisë nacionale shqiptare” mbi policët serbë në Dobrosini kaloi pa atë jehonën e pritur nga Slloba i vogël. Thjesht, lajmin nuk e ka transmetuar askush nga portalet e mëdha botërore, përveç disave në hapësirën ballkanike.
Edhe pse kryepolici ishte përkujdesur t’i japë bujë, edhe me fjalë të mëdha kërcënuese se “nuk do t’i shikojmë të qetë si i sulmon dikush policët" madje edhe në portalet serbe lajmi humbi ndër ngjarje të tjera të rëndësishme që nga dueli Tadiq-Nikoliq e deri te era që e paska penguar tenistin Novakoviq në setin e parë të çerekfinales në Romë. Thjesht, kopja gati kurrë nuk arrin efektin e origjinalit. E kryepolici Daçiq si kopje e Sllobës, po bëhet letër e lexuar. Dhe vërtet po e tepron. Suksesi dhe efektet në vota që arriti me rrëmbimin dhe përçmimin e dy policëve kufitarë të Kosovës e pastaj me operacionet policore ditën e përmbylljes së fushatës së tij zgjedhore dhe prangosjen e ish-luftëtarëve “terroristë” që vetëm tash ka mundur t’i zbulojë pasi fshiheshin në zyrat e organeve komunale ku punonin tash e dhjetë vjet, e ka trimëruar pinjollin e Millosheviqit që duket se u ka hyrë do projekteve të mëdha.
Sidomos pas takimit me kreatorin e fatkeqësive me përmasa gjenocidale dhe mentorin e tij, Dobrica Qosiqin, babanë shpirtëror të serbomëdhenjve, i njohur për shumëçka tjetër, por edhe me thënien se askush nuk mund të gënjejë më mirë se serbët. Se kryepolici mund të ketë marrë detyra të mëdha në projektin e ri nacional, me shtrirje më të gjerë, u fol shumë edhe pas vrasjeve monstruoze të pesë të rinjve madeqonas që për pak shtetin e brishtë nuk e çoi në konflikt të hapur ndërnacional.
Edhe provokimet me arrestimet e brutalitetin në Preshevë e Bujanoc dhe tash gjoja me sulmin terrorist mbi policët serbë nuk lënë dyshim se synimi është provokimi i një situate me konflikte të hapura, te shqiptarët në Luginën e Preshevës, por edhe me serbët në veri të Ibrit, si pjesë e projektit për të dëshmuar paqëndrueshmërinë e shteteve shumënacionale.
Duke hapur kështu “Kutinë e Pandorës” së ridefinimit të kufijve në një hapësirë më të gjerë, përfshirë sidomos Bosnjën dhe Republika Srpska “si krijesë gjenocidale”, siç po quhet gjithnjë e më shpesh nga ata që tanimë kërkojnë suprimimin e krijesës së gabuar të Dejtonit. Inskenimet si zakonisht i “tradhtojnë” hollësi të rastësishme, por për të qenë i besueshëm, sulmit terrorist mbi policët serbë në Dobrosin i mungojnë edhe elemente qenësore. Edhe pse tre sulmuesit u ishin afruar katër policëve aq shumë sa do t’i lëndonin edhe me gurë, me gjithë breshërinë e plumbave nga automatiku, mitralozi e snajperi që depërton edhe pancirët, katër policët kishin qenë jetëgjatë dhe kishin shpëtuar pa therrë në këmbë. Megjithatë Daçiqi një send e ka menduar mirë. Që skenën ta bartë në Dobrosin, në vendin ku 12 vjet më parë lindi UÇPMB, katundin të cilin edhe ish-sekretarja amerikane Medlin Ollbrajt, atëbotë e quajti “katundi problematik”. Incidentin udhëheqësit shqiptarë atje, shpejt e kanë deshifruar se është më shumë se fushatë zgjedhore në Serbi, por edhe paralajmërim për arrestime të tjera me qëllim të destabilizimit të Luginës.
Dhe me të drejtë kanë alarmuar edhe OSBE-në e komunitetin ndërkombëtar, duke kërkuar që Brukseli të ndikojë dhe ta ndalë Serbinë nga provokimet e tilla. Fakti se lajmi për sulmin terrorist mbeti pa jehonën e pritur nga Daçiqi, të cilit edhe ndërkombëtarët mund t’ia kenë lexuar letrat në dorë, është vetëm një shenjë e mirë por jo më shumë. Një gjë është e qartë. Fqinjësia e mirë, sinqeriteti, korrektësia dhe Slloba i vogël, pa dyshim janë si uji e vaji. Që sado ti tundësh nuk përzihen. Që s’kanë asgjë të përbashkët!   
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›