E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi/Mes betejës kundër fanatizmit dhe drojës përballë “festivalit të 17 majit”

18-05-2012 / Nga Eden Babani

Isha kryeredaktor i gazetës së ish-të përndjekurve politikë, “Liria”. Një ditë prej ditësh, - do të ketë qenë viti 1993 ose 1994, - në zyrën time trokiti një zotëri të cilit, për fat të keq, nuk ia kujtoj emrin, por të cilin sot do të desha ta takoja pavarësisht ca prirjeve që na ndajnë me njëri-tjetrin si një oqean i pakalueshëm. Madje, pa hyrë ende në thelbin e çështjes që do të trajtoj, i bëj thirrje zotërisë të më japë një shenjë jete. Do të bej çmos ta takoj.
Që të mos e zgjat, zotëria m’u paraqit si ish-i dënuar nga regjimi komunist. Më tha se sapo kishte formuar një shoqatë dhe se kërkonte që ajo të kishte akses në gazetë. E pyeta cili ishte motivi i dënimit të tij, politik apo ordiner, cili ishte programi i shoqatës së sapokrijuar dhe si mund ta ndihmoja. Kuptohet se, këtu e afro dy dhjetëvjeçarë përpara, kur ishte në modë krijimi i shoqatave që mbinin njëra pas tjetrës si kërpudhat pas shiut, më duhej të isha tepër i kujdesshëm. M’u përgjigj se qe dënuar për pederasti (asohere fjala homoseksual përdorej rrallë, kurse gej hyri më vonë, si më moderne). “Dënimi im, - tha, - u motivua si ordiner, por unë e quaj politik, sepse u shkelën të drejtat e mia si njeri”. Pra, zotëria pretendonte se i ishin shkelur të drejtat e tij njësoj siç i ishin shkelur një tjetri për motive të mirëfillta politike.
Ç’t’i thosha?! Kishte dhe s’kishte të drejtë. Kishte të drejtë, meqë dëshironte të bënte një jetë seksuale si t’ia kishte ënda. Por nuk kishte të drejtë për moralin tim. Aq më tepër që prirjen e tij seksuale, shteti komunist e kishte kodifikuar në radhën e krimeve ordinere dhe e dënonte me ligj. Mbeta keq, sado që një mendje më thoshte ta sikterisja një çast e më parë. Njeri i burgosur, në fund të fundit, që kishte hequr të zitë e ullirit kushedi ku e kushedi për sa kohë. Pse ta lëndoja?! Në këto e sipër, erdhën në zyrën time për një problem shoku im i fëmijërisë, i ndjeri Ylli Liço, financieri i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, dhe Ali Gjanaj, anëtari i kryesisë, ish i burgosuri politik, të cilin e ftoj të dëshmojë vërtetësinë e kësaj ngjarjeje që po tregoj. I ndjeri Ylli, siç e kishte zakon, filloi të tallej, kur ia paraqita zotërinë. Aliu, përkundrazi, u revoltua dhe deshi ta nxirrte jashtë me dhunë. Ndërhyra që ta qetësoja gjendjen, duke i shpjeguar zotërisë pederast se nuk mund ta ndihmoja. Por ai doli prej zyrës sime i pakënaqur dhe i dëshpëruar.
Nuk ishte as agresiv, as i panjerëzishëm, ndaj e ruaj këtë episod në kujtesë si një nga episodet pikante të asaj kohe të paharruar, kur sapo kishim nisur të hidhnim hapat e parë në rrugën e pafund të demokracisë...
Episodin ma nxori nga kujtesa një deklaratë e Ekrem Spahiut, mikut tim të kahershëm të përplasjeve të përbashkëta me mbeturinat e sistemit komunist që, për fat të keq, sot janë mëkëmbur plotësisht, janë organizuar rreth njeriut të Bllokut që del lakuriq plazheve publike, dhe kërkojnë të marrin revansh mbi forcat demokratike e prokombëtare. Ku ishim, ku mbërritëm me fisnikërinë tonë, me tolerancën, me  idealizmin që na frymëzoi për një ardhme dinjitoze, pa urrejtje klasore, pa kufizime të të drejtave të njeriut!
Sot, ndërsa iu vura këtij shkrimi, pyeta veten: Vallë parada e homoseksualëve i paska mbetur Shqipërisë për t’u modernizuar e për t’u europianizuar. Po traditat tona, po morali ynë, po turpi i motrës ndaj vëllait, i atit ndaj bijës, i nënës ndaj birit, i fqinjit ndaj fqinjës? Ku ta lëmë nëpërkëmbjen e ligjeve të natyrës, që, me të drejtë dhe me argumente filozofike e sociale e kanë kundërshtuar si Kurani ashtu edhe Ungjilli. Që të mos cenohet thelbi i shoqërisë, familja, Papa Benedikti XVI dhe paraardhësi i tij, Papa Gjon Pali i Dytë, e kanë ngritur zërin në vende të tilla të emancipuara si Italia ose Spanja, si Franca ose Gjermania, që të mos ligjësohen martesat homoseksuale. Ne jemi ende larg, tepër larg, për t’u marrë me to. Mjaft t’i lëmë homoseksualët në punë të tyre. Le të merren me njëri-tjetrin. Shteti nuk i ndjek më penalisht si një herë një kohë, sepse s’e lejon legjislacioni. Nuk ka pse t’i dënojmë as ne. Moralisht, s’di ç’të them, sepse varet nga ndërgjegjja e secilit qytetar, ndërsa unë s’jam në gjendje të zhbiroj më tepër se brendapërbrenda ndërgjegjes sime. Ndoshta do të vijë një ditë që të mësohemi me praninë e homoseksualëve në mjediset tona. Ama, për asnjë çast s’do ta dëshiroja që ata të na bien mëqafë me parada e me më the të thashë. Ata kanë të drejtat e tyre, por edhe ne tonat. Ata kanë të drejtë të kërkojnë atë çka e quajnë moderne. Pse nuk paskemi të drejtë të kundërshtojmë paqësisht dhe me argumente të traditës e të moralit tonë shqiptar? Ne po ua respektojmë dhe do t’ua respektojmë gjithnjë të drejtën që t’i përdorin si të duan pjesët intime të trupit të tyre. Por edhe ata t’i respektojnë të drejtat e ndjenjave tona, mos të na provokojnë me publicitete që nuk i gëlltitim dot. Aq më tepër që ne jemi shumicë, kurse ata pakicë. Vlerat e demokracisë shtohen kur problemet mes shumicës dhe pakicës shtrohen në planin etik e moral, me mirëkuptim të ndërsjelltë, larg shtrëngimeve dhe shkeljes së të drejtave të secilës palë. 
Sot, më shumë se për shfaqje teatrale për përfitime fondesh të turpshme që s’dihet nga vijnë dhe ku përfundojnë, vendi dhe shoqëria jonë kanë nevojë t’u kthehemi problemeve tona kombëtare, të mbetura pezull nga historia; problemeve të integrimit euroatlantik, të diktuara nga zhvillimet bashkëkohore; atyre të zhvillimit ekonomik për mirëqenie të përgjithshme, që shansi na i ka prurë në derë.
Nuk jam dalluar kurrë si njeri fanatik. Por as si modern i çartur. Nëse për fanatizmin, s’kam pse diskutoj, pasi e quaj të tepërt, ngase nuk më ka shkuar kurrë përshtat, përpara modernizmit të tipit gej, s’mund të mbyll sytë, as veshët, që të dëftohem i kohës. Njërën dhe tjetrën, i quaj të papranueshme për shoqërinë tonë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›