Abetarja dhe ato që nuk i di kryeministri
Gentjana Çelaj / Mësuese
Nxënësit që në abetare mësojnë gjuhën shqipe me gabime shkencore. Duke u nisur se ju, zoti kryeministër, gjithmonë i keni kushtuar vëmendjen e duhur zhvillimit të arsimit me baza shkencore dhe kombëtare, vendosa tju informoj lidhur me abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Zoti kryeministër, sa ju ka informuar këshilltari se në abetaret tona po ndryshohen shkronjat e alfabetit? Kongresi i Manastirit luan një rol të rëndësishëm në unifikimin e alfabetit shqip. Në këtë kongres u miratua alfabeti i përbërë nga 36 shkronja me bazë alfabetin latin. Alfabeti i gjuhës shqipe është unik dhe nuk pranon ndryshime nga individë. Nuk kemi dëgjuar për ndonjë kongres ose konferencë ku gjuhëtarët të kërkojnë ndryshime në alfabet! Kur shfleton abetaren Shkronjë pas shkronje (që është në qarkullim) dhe lexon në ekranet televizive faqe nga abetarja e re mbarëkombëtare, pëson gjendjen e shokut.
Në këto abetare lexojmë: IIiri me Iahutë, MAMI IM.. Fjalët nuk shkruhen me shkronjën e madhe të shtypit I, por shkruhen me shkronjën e vogël l të shtypit. Kur i pyet mësuesit se si veprojnë në mësimin e një shkronje të vetme për dy tinguj të ndryshëm, ata përgjigjen që nxënësit i dallojnë nga kuptimi, por ka raste që nuk dinë ta lexojnë fjalën. Ka tetë vite që nxënësit mësojnë të lexojnë me 35 shkronja të mëdha të shtypit dhe me 36 shkronja të vogla të shtypit.
Mos ka ardhur koha që MASH-i në programet mësimore të përcaktojë dhe stilin e shkrimit në përputhje me alfabetin e gjuhës shqipe; të përcaktojë që në abetare të përdoren shkronja dore me kompjuter, apo me skicograf; të vazhdojë bukurshkrimi edhe në klasat e ciklit të ulët, duke zvogëluar madhësinë e shkronjave nga viti në vit? Zoti kryeministër, sa ju ka informuar këshilltari se gabimet shkencore vazhdojnë edhe me shkronja të tjera? Në abetaren Shkronjë pas shkronje, fjalët janë shkruar me shkronjën cirilike a (përdoret në gjuhët sllave) dhe a të miratuar në Kongresin e Manastirit.
Nxënësit në të njëjtën faqe mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë të dyja format e shkronjës a. A është në dinjitetin e shkollës tonë, kur mësuesja shkruan në tabelë dy shkronja për një tingull? A është në dinjitetin e shkollës tonë, kur mësuesja shkruan në tabelë një shkronjë për dy tinguj ? Në 150 abetare shqip të botuara dhe të përdorura në të gjitha trevat shqiptare, që nga Naum Veqilharxhi deri në vitin 2005, nuk gjejmë mësim-shkrimin e shkronjave të shtypit.
Në librin Metodika e bukurshkrimit, me autor Kolë Koci, viti 1948, jepet ky orientim: Shkronjat e shtypit mund të mësohen në klasën e katërt, vetëm në orën e vizatimit, për ndonjë parullë ose lajmërim. Fjala e zëvendësministrit për një konkurs kaq të rëndësishëm mbarëkombëtar mbaroi. Kjo është fitorja? Me një komision-hije që përjashtoi nga konkurrimi katër shtëpi botuese?