Franc Veliu i Flamurtarit, lojtari i muajit nëntor
Franc Veliu është cilësuar si lojtari më i mirë i muajit nëntor. Verdikti është dhënë nga anketa e organizuar prej shoqatës “Sporti na bashkon”, e cila përzgjedh lojtarin më të mirë të muajit në Kategorinë Superiore me votat e tifozëve, të dërguara nëpërmjet sms-ve nga të gjitha rrjetet e operatorëve të telefonisë celulare, por edhe prej vlerësimit të një paneli me ekspertë të sportit më popullor. Mbrojtësi i Flamurtarit, që për një kohë të gjatë ka qenë edhe në orbitën e Kombëtares shqiptare, triumfoi mes 14 lojtarëve të përzgjedhur për muajin nëntor. Mes kandidatëve potencialë për fitimin e çmimit, e që mbështetet edhe nga disa sponsorë, vlerësoheshin disa prej “bomberave” më të spikatur gjatë këtyre javëve, si Xhafaj i Flamurtarit, Bakaj i Dinamos, Pejiç i Tiranës apo edhe Çota i Teutës. Gëzim Nushi, një prej drejtuesve të shoqatës, deklaroi: “Pasi shqyrtoi votat nga sms dhe u diskutuan mendimet e ndryshme brenda komisionit, fitues u shpall mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu”. Veliu bëhet lojtari i dytë i skuadrës vlonjate që fiton, pas fantazistit Hair Zeqiri në muajin shtator, ndërsa çmimi i tetorit iu dorëzua Erjon Mustafajit të Shkumbinit. Më tej Nushi theksoi se popullariteti i anketës po rritet, ndërsa ka ftuar tifozët të marrin pjesë gjerësisht: “Në krahasim me muajin e kaluar kishte më shumë votime nga tifozët, por mendoj se pjesëmarrja duhet të jetë edhe më e madhe, në mënyrë që të gjithë të pasionuarit të japin mendimin e tyre. Për më tepër kjo do të bënte që vlerësimi për lojtarin e muajit të ishte edhe më i gjerë”.