Primo në mbështetje të sportit
Në shtatorin e vitit që vjen, në Shqipëri do të organizohet kampionati 27-të i krosit malor. Shqipëria mundi të fitojë këtë shans të madh, falë paraqitjes shumë të mirë të ekipit shqiptar në kampionatin e krosit malor, zhvilluar në Slloveni, në shtator të këtij viti, ku ekipi shqiptar ishte i pranishme bashkë me 40 shtete të tjera. Ky përfaqësim dinjitoz i sportistëve shqiptarë u arrit falë mbështetjes së kompanisë Primo Communications. Është në vizionin e kësaj kompanie për të qenë të parët në mbështetjen e atyre që kanë vullnetin dhe guximin të jenë më të mirët. Drejtoresha e marketingut dhe shitjeve pranë kompanisë Primo, Etleva Laro, thotë se mbështetja e dhënë Federatës shqiptare të Atletikës, për t’u përfaqësuar në kampionatin e Sllovenisë, ishte një ndihmë e madhe për sportistët, por edhe një ogur i mirë për Shqipërinë, e cila u zgjodh si organizatore e kampionatit të ardhshëm. Presidenti i kësaj federate, z. Gjergj Ruli, vlerëson maksimalisht ndihmën e dhënë, duke thënë se falë mbështetjes së kompanisë Primo, sportistët tanë mundën të marrin pjesë në këtë aktivitet. Z. Ruli shton se Primo Communications është një shembull që duhet të ndiqet edhe nga operatorët e tjerë të biznesit, duke e konsideruar mbështetjen e sportit si investim dhe jo shpenzim. Shqipëria mundi që për herë të parë, të marrë pjesë në një aktivitet të tillë dhe të fitojë të drejtën e organizimit të kampionatit botëror në Tiranë. Ky aktivitet do të shërbejë në emrin e mirë të burimeve turistike natyrore të Shqipërisë. “Është në praktikën tonë të punës dhe të veprimit të shohim me largpamësi, - shprehen nga Primo - dhe në rastin e kampionatit të krosit malor, patëm shumë të drejtë”.