Franca: Do të vazhdojmë mbështetjen për Marrëveshjen e Ohrit

Qeveria franceze do të vazhdojë të mbështesë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Kjo është theksuar sot në një takim të zhvilluar midis ambasadorit francez në Shkup, Zhan Klod Shlumberzhe dhe zv.kryeministrit për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi.
Në komunikatën e kabinetit të Xhaferit theksohet se ambasadori francez theksoi se vendi i tij mbështet fuqishëm implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe njëkohësisht shprehu gatishmëri për realizimin e projekteve të përbashkëta.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e administratës dhe se Ambasada e Francës do të ndihmojë në trajnimin e nëpunësve shtetëror”, ka nënvizuar Shlumberzhe, duke konfirmuar kështu mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe BE.
Nga ana tjetër, Xhaferi ka informuar ambasadorin francez, për implementimin e Marrëveshjes si dhe përkushtimet që kjo të jetë një prioritet për Qeverinë e Maqedonisë.
Zëvendëskryeministri Xhaferri ka nënvizuar se është e mirëpritur edhe mbështetja e ndërkombëtarëve në implementimin e frymës së këtij dokumenti, 10 vite pas nënshkrimit të tij.