Haiti, shkon në 212 mijë bilanci i viktimave nga tërmeti
shkon në 212 mijë numri i të vdekurve të provokuar nga tërmeti i datës 12 janar në Haiti. Bilanci më i fundit është raportuar nga kryeministri haitian, Jean Max Bellerive. Dekalarata e kreut të qeverisë së vendit ishullor të shkatërruar nga tërmeti, është dhënë gjatë një deklarate televizive në ekranin amerikan CNN. Në të tjera zhvillime në Haiti është bërë e ditur se nje helikopter ndihmash është rrëzuar në Dajabon, në perëndim të Republikës Domenikane, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe ndihmësit të tij. Mjeti fluturues po dërgonte ndihma në kuadër të operacionit humanitar në Haiti.
Ndërkaq është bërë publike edhe akuza për 10 amerikanët që tentuan të rrëmbenin fëmijë haitianë. "Rrëmbim të minorenëve dhe bashkëpunim për vepra kriminale", është akuza me të cilën do të përballen shtetasit amerikanë. Ata u arrestuan në Haiti dhe prokuroria në Port-au-Prince i akuzon ata për lidhje me kriminelët gjatë përpjekeve për nxjerrjen ilegale të fëmijëve jashtë shtetit të goditur rëndë nga katastrofa natyrore. Ministri i Drejtësisë, Paul Denis, tha se procesi gjyqësor duhet të mbahet në Haiti. Pesë burrat dhe pesë gratë, të krishterë baptistë nga Idaho u ndaluan javën e kaluar në kufirin me Republikën Dominikane. Në autobuzin e tyre ndodheshin 33 fëmijë haitianë të moshës nga dy muajsh deri në 14 vjeç.