Franca dhe Italia: ‘Jo’ standarde të dyfishta në Ballkan, Shqipëria të integrohet në “Schengen”, sa më shpejt

Franca dhe Italia i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të harmonizojë politikën e integrimit në Ballkanin Perëndimor. Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Francës, përkatësisht Franko Frattini dhe Bernard Kushner, shprehen në një artikull të përbashkët të botuar për të përditshmen “Le Monde”, se shqiptarët duhet të lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen”, sa më shpejt. Për këtë, të dy ministrat kërkojnë angazhimin e Brukselit zyrtar, në mënyrë që shqiptarët, por edhe boshnjakët të mos ndjehen të diskriminuar nga politikat e Bashkimit Evropian. “Brenda një afati të shkurtër, shpresojmë në veçanti se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina mund të përfitojnë liberalizim vizash për qëndrim të shkurtër në hapësirën Shengen”, shkruajnë në të përditshmen franceze dy ministrat. Frattini dhe Kushner, biseduan për perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor në samitin franko-italian të premten në Paris. Zona e quajtur “Shengen” përfshin vendet e Bashkimit Evropian, përveç Britanisë së Madhe, Irlandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Islandës. “Për lëvizjen e lirë, sigurisht, duhet të përmbushen kushtet teknike, por nuk duhet të lejojmë krijimin e idesë se myslimanët e Ballkanit do të diskriminohen dhe se nuk do të lejohen të përfitojnë nga masa nga të cilat përfitojnë serbët ose malazezët që prej fundit të vitit 2009. Liria e qarkullimit në BE është themelore për t’u bërë të mundur popujve të Ballkanit Perëndimor të ndihen anëtarë të familjes evropiane”, deklarojnë Frattini dhe Kushner. Blloku me 27 anëtarë hoqi në nëntor detyrimin e vizave për shtetasit serbë, malazezë dhe maqedonas në zonën Shengen. Ndërsa Komisioni Evropian, të vlerësojë së afërmi heqjen e detyrimit të vizave për shtetasit boshnjakë. Vullnetin e KE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, kryediplomati italian e shprehu edhe dje gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, në takimet me kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Frattini tha se vendimi do jepet në 2 qershor, gjatë Samitit të Sarajevës, për të hyrë në fuqi në fund të muajit shtator.
...