Franca e kënaqur me kujdesin e qeverisë ndaj Kishës Ortodokse dhe Zonave të Mbrojtura

Ambasadorja franceze në Kosovë Maryse Daviet, është shprehur e kënaqur me punën e ministrit të MMPH-së Dardan Gashi, dhe gatishmërisë për implementimin e kërkesave që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit, duke përmendur krijimin e klimës pozitive për serbët në Kosovë.
“Edhe kleri ortodoks dëshiron të jetojë në Kosovë dhe ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë me institucionet dhe të ketë fqinjësi të mirë me të gjithë” ka thënë ambasadorja në takimin që ka pasur me ministrin Gashi.
“Para dy vjetëve, në takimet me Peshkopin Teodosije ka qenë e pamundur të takoheshim pa biseduar për problemet, ndërkaq tani takohemi dhe gjërat janë krejt ndryshe” ka thënë ministri Gashi.
Në këtë takim është biseduar për zonën historike të Gazimestanit, manastirin e Deçanit e çështje të tjera të objekteve ortodokse në Kosovë.
Ndërkohë, ministri ka siguruar se për zgjidhjen e problemeve eventuale do të mbështetet në ligjet e Kosovës, pa e dëmtuar qytetarin, sepse siç ishin shprehur dhe krerët e Kishës Ortodokse në takimin ditë më parë me ministrin, fqinjësia e mirë me qytetarin, është interes dhe i Kishës ortodokse serbe në Kosovë, thuhet në njoftim./Indeksonline/