Presidentja vizitoi shtëpinë bamirëse Motrat e Nënës Tereze në Pejë

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, vizitoi sot shtëpinë bamirëse Motrat e Nënës Tereze në Pejë.
Me këtë rast ajo u njoftua për punën e këtij institucioni, i cili u ofron ndihmë personave të sëmurë dhe njerëzve në nevojë.
“Erdha te motrat e Nënës Tereze, këtu në shtëpinë e tyre, në shtëpinë e Zotit, që të shpreh mirënjohjen time për punën, për angazhimin dhe tërë përkushtimin e tyre që japin për të ndihmuar njerëzit.
Misioni i këtyre motrave është një vazhdimësi e misionit të së lumes Nëna Tereze, që gjithë jetën e saj ua përkushtoi njerëzve të sëmurë, njerëzve që kanë nevojë dhe njerëzve të varfër.
I falënderova për gjithë punën dhe përkushtimin e tyre dhe për një angazhim të fuqishëm”, tha Presidentja Jahjaga në një deklaratë bërë gjatë vizitës./Indeksonline/