Franca i dorëzon presidencën Çekisë

Me ardhjen e Vitit të Ri, Franca ia dorëzoi presidencën e radhës të Bashkimit Evropian Republikës Çeke, duke i dhënë fund njërit prej mandateve më të ngarkuara në historinë e drejtimit të BE-së. Cilat ishin ngjarjet dhe politikat që e karakterizuan mandatin 6-mujor të Francës dhe presidentit të saj Nikola Sarkozi? Presidenti francez Nikola Sarkozi njihet si një politikan i veprave dhe gjatë 6 muajve që Franca kishte timonin e Bashkimit Evropian, i ra shumë herë rasti të hidhej në vepra. Axhenda fillestare e Francës përfshinte krijimin e një partneriteti të ri Evropiano-Mesdhetar ku të përfshiheshin vende të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme si dhe vënia në jetë e Traktatit të Lisbonës për të reformuar organizatën me 27 anëtarë.Por zhvillime të paparashikuara ndikuan për t'i dhënë një formë tjetër presidencës së Francës duke e bërë atë një ndër më dinamiket në historinë e Bashkimit Evropian. Së pari ishte konflikti që plasi në gusht ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë. Presidenti Sarkozi shkoi në të dyja kryeqytetet e këtyre vendeve për të arritur një marrëveshje për armpushim. Ky konflikt u pasua nga kriza financiare dhe ekonomike. Zoti Sarkozi kërkoi zhvillimin e një takimit të lartë evropian për të hartuar një strategji të përbashkët në përgjigje të krizës dhe më pas u bë ndër nismëtarët e një takimi më të madh të fuqive kryesore botërore në Uashington. Në një fjalim lamtumire në Parlamentin Evropian, zoti Sarkozi reflektoi mbi pikat kulmore dhe ngjarjet më të spikatura gjatë rolit të tij si President i BE-së.