Franca, mediat “kryqëzojnë” skuadrën

Duhej të ishte ndeshja që do të kthente faqen por ka thelluar edhe më shumë krizën. Franca, skuadra kombëtare më e vlerësuar e planetit, nuk di të fitojë dhe këtë e reflektoi edhe në atë barazim zhgënjyes 1-1 ndaj Bosnje Hercegovinës. Sipas mediave në vend, skuadra po përjeton një krizë identiteti, me pak fjalë, nuk është më skuadra që do të duhej të ishte, një tank që mund të shkelë këdo që i del përpara. Grup i pasur në talente dhe lojtarë klasi por aspak produktiv në fushën e lojës dhe mediat nuk e kursejnë aspak trajnerin Deschamp ndaj të cilit ka nisur një fushatë kundër.
“Lequipe” nënvizon se barazimi i Strasburgut është në të njëjtën linjë me dështimin e Europianit. “Franca është tramsformuar në një skuadër pa jetë dhe flakë të brendshme që nuk arrin të ndryshojë marsh”, thekson gazeta më e madhe franceze që shton se një skuadër e tillë nuk shikohej që nga era më e keqe e epokës Domenech.
Në vijim, Lequipe shton se sjellja e skuadrës në fushën e lojës nuk bind ndërsa zhgënjimi është shumë i madh për një grup që vetëm 3 vjet më parë u ngjit në majën e botës. “Skuadra po has shumë vështirësi edhe ndaj një kundërshtari poshtë nivelit të saj pasi ëshët e ngadaltë dhe shumë e lexueshme”, shton Lequipe. Në këtë mënyrë, treshja e ëndrrave Mbappé, Benzema e Griezmann është e tillë vetëm në letër ndërsa Lequie shton se kjo skuadër nuk duhet të ketë sulmin si pikë referimi.