Franca, përgatitjet nisin me probleme
PARIS- Nuk kanë nisur në mënyrën më të mirë përgatitjet e kombëtares franceze për Botërorin e Afrikës së Jugut. Në ditën e parë, mbrojtësi Uilliam Gallas është dëmtuar në dorën e majtë, pasi është rrëzuar nga një motorr plazhi me 4 rrota, gjatë një gare që po zhvillonte në qendrën stërvitore të kombëtares, në Alpet Franceze. Gallas ka patur edhe një dëmtim në kavilje dhe sapo ishte kthyer në gjendje për të luajtur. Gjithsesi, mjekët kanë garantuar se ai do të jetë i gatshëm për startin e Botërorit më 11 qershor. Madje, ai mund të jetë disa minuta në fushë në miqësoren e së mërkurës kundër Kosta Rikës. Por, problemi më i madh për trajnerin Rajmond Domenek është largimi i mesfushorit të Realit Lasana Diarra, i cili është i sëmurë dhe është shtruar në spital. Në fakt, sëmundja e Diarrasë e ka shokuar kombëtaren franceze. “Kur e pashë në 6 të mëngjesit që po vishej, mendova se po dilte për stërvitje, por vetëm më vonë mora vesh se Lasana ishte shtruar në spital për probleme shëndetësore. Ishte e gjitha një shok për ne”, deklaroi mbrojtësi Gael Klishi’. Franca ndodhet në grupin A të Botërorit, bashkë me Afrikën e Jugut, Uruguajn dhe Meksikën.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)