E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca rishikon Produktin e Brendshëm Bruto

Ministrja e Ekonomisë Franceze, Christine Lagarde, përsëriti për mediat se parashikimi për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto për këtë vit nuk do të rishikohet. Ajo deklaroi gjithashtu se Franca nuk rrezikon aspak nivelin maksimal AAA, të vlerësimit të kreditit të borxheve sovrane. Rishikimi i parashikimeve për rritjen ekonomike, nëse do të ndodhë,

do të bëhet vetëm në mesin e Gushtit, apo në fillim të Shtatorit, pasi të publikohen të dhënat zyrtare të rritjes ekonomike për tremujorin e dytë të vitit ka thënë Lagarde. Qeveria franceze ka parashikuar rritje në normë vjetore me 1.4% për këtë vit dhe rritje 2.5% për vitet në vijim, duke filluar nga 2011. Shumë analistë të ekonomisë i kanë cilësuar parashikimet qeveritare më shumë optimiste, nga pamja që japin shifrat dhe realiteti ekonomik. "Ne kemi bërë parashikime hipotetike që janë ambicioze dhe ndoshta edhe të paarritshme, por kjo nuk do të thotë se unë nuk besoj tek parashikimet," tha Lagarde, duke shtuar se ajo beson në një surprizë shumë të mirë për ekonominë franceze në vitin 2011.

Gjermani, rritet me 2 për qind GDP
Ministri Gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble, ka thënë se në këtë vit rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto, do të jetë më e madhe nga sa parashikohej dhe do jetë pranë 2 për qind. Por ai ka shtuar se në vitet në vijim rritja ekonomike nuk do tejkalojë normën e 1.5%. Në fundin e janarit qeveria gjermane parashikoi rritje me 1.4% për vitin 2010, por shumë analistë kanë vlerësuar se Prodhimi i Brendshëm Bruto gjerman, do rritet në normë vjetore me gati 3 për qind. Shumë politikëbërës dhe institute të kërkimit kanë shprehur shqetësimet se masat shtrënguese ekonomike, të aplikuara në mbarë europën për të parandaluar kontaminimin nga kriza greke e borxheve, do të dëmtojnë ekonominë. Këtë mendim shprehu edhe Ministri Gjerman i Financave, që në deklarata të ndryshme në fundjavë, tha se rritja ekonomike do jetë e lartë në këtë vit, por në vitet e ardhshme jo më shumë se 1.5 për qind.

British Petroleum, skenari më i keq 100 fuçi në ditë
Kongresmeni demokrat Ed Markey bëri publik një dokument të brendshëm të British Petroleum, që tregon se vetë kompania vlerëson se skenari më i keq i derdhjes së naftës në gjirin e Meksikës, është 100 mijë fuçi në ditë. Administrata amerikane ka pretenduar për derdhje deri në 60 mijë fuçi në ditë, (2.5 milionë gallon=9.5 milionë litra). Masa ditore e shkarkimit nga pusi nënujor, në ujrat e detit ka qenë në temë e gjerë e debatit publik. Shumica e kritikëve thonë se BP ka nënvlerësuar normën e rrjedhjes. Ndërkohë BP cilësoi si të vërtetë dokumentin që ju referua kongresmeni i Masaçusets, por tha se masa e rrjedhjes që ai citon aplikohet për të tjera kushte teknike. Në fillim të avarisë BP deklaroi se në det rridhnin 1 mijë fuçi në ditë ndërsa më vonë tha se rrjedhja është rritur në 5 mijë fuçi në ditë. Aksidenti në Gjirin e Meksikës ka vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e British Petroleum. Deri më tani kompania ka krijuar një fond 20 miliardë dollarë për pastrimin e detit. Shuma është sa fitimi vjetor i saj.

Last Updated on E Hene, 21 Qershor 2010 19:05

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›