Dashi mban peng prej një muaji furnizimin me ilaçe në QSUT
Mungesa e medikamenteve në QSUT, është kthyer tashmë në minë me sahat. Nga njëra anë pacientët e të afërmit e tyre janë të detyruar të blejnë gjithçka privatisht që prej aspirinave, shiringave apo edhe pambukut që shërben për kryerjen e serumeve e deri tek ilaçet më të shtrenjta. Nga ana tjetër asnjë sinjalizim nuk duket nga drejtoria e
QSUT-së se kur këto ilaçe tenderi do të mbërrijë në pavijone. Tenderi për blerjen e këtyre ilaçeve është kryer tashmë dhe janë kryer të gjitha procedurat me firmën kontraktuese e cila do të blejë edhe ilaçet përkatëse. Burime konfidenciale nga QSUT, thanë dje për gazetën SOT se janë kryer të gjitha procedurat për blerjen e ilaçeve që mungojnë në spital por kjo gjë vonohet nga vetë kreu i spitaleve Dashi i cili kohët e fundit ka marrë përsipër të merret vetë me kryerjen e procedurave të brendshme për blerjen e ilaçeve. Sipas këtyre burimeve theksohet fakti se edhe pse gjendja e ilaçeve në pavijone është problemi kryesor pasi mungojnë pothuajse 70 për qind e tyre, sërish furnizimi me to është kthyer në një pritje pa fund. Burimet sqarojnë gjithashtu se nga ana e pacientëve, ka ankesa të përditshme dhe me të drejtë nga ta ka herë pas here edhe pakënaqësi që shpesh herë agravojnë në debate midis drejtuesve apo mjekëve në QSUT. Nga vëzhgimet e kryera nga gazeta SOT në pavijonet e QSUT-së nuk mund të gjesh qoftë edhe një garzë, apo në rastet më banale ka mbaruar edhe pambuku. Tenderët për ilaçet janë mbyllur që para një muaji e sipas të dhënave nga saiti i Agjencisë së Prokurimeve Publike, tenderat duhet të ishin realizuar, e spitali duhet të ishte pajisur me ilaçe brenda një periudhe kohore prej 30 ditësh nga hyrja në fuqi e miratimit të tenderit përkatës. Por mesa duket një nga shkaqet kryesore për mungesën e medikamenteve është edhe vonesa pa arsye e çeljes së tenderëve nga ana e Drejtorisë së QSUT-së e cila duket sikur mban peng furnizimin me medikamente jo vetëm të pavijonit të Diabetit por edhe të pavijoneve të tjera në spitalin shtetëror. Por edhe pse në Drejtorinë e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza ankesa të shumta kanë shkuar si nga pacientët ashtu edhe nga mjekët, drejtori Dashi duket sikur vonon pa shkas tenderin e ilaçeve për të sëmurët. Madje ky nuk ka qenë rasti i parë që nga drejtoria e QSUT-së vonesat e medikamenteve kanë qenë problematike për pacientët. Mungesa e theksuar e ilaçeve është më së shumti në spitalin nr 1 ku mjekohen sëmundjet e brendshme, por jo vetëm aty. Edhe në spitalin pediatrik mungesa e ilaçeve ka shkaktuar herë pas here reagimin e prindërve që kanë të shtruar fëmijët e tyre në këtë spital e jo vetëm kaq.
Citostatikët
Citostatikët janë medikamentet të cilat shërbejnë për kurimin e sëmundjeve kanceroze tek spitali Onkologjik. Edhe në këtë spital pacientët vuajnë mungesën e ilaçeve pasi edhe pse tenderat janë zhvilluar e miratuar nga AAP-ja blerja e tyre sërish vonohet pa asnjë arsye. Madje në shumë raste vetë drejtori Dashi, ka deklaruar se drejtoria e QSUT-së është duke kryer procedurat e fundit për blerjen e medikamenteve në pavijonet e spitalit më të madh në vend. pacientët e pavijonit të Diabetit që prej 7 muajsh kanë mungesa të theksuara medikamentesh duke përfshirë këtu edhe medikamentet kryesore të mjekimit të kësaj sëmundjeje sidomos të një prej tyre e cila është më e rëndësishmja dhe me efektivja për mbajtjen nën kontroll të agravimit të sëmundjes.
Sëmundjet e brendshme
Edhe pacientët e spitalit nr 1 në të cilin kurohen sëmundjet e diabetit, veshkave, sëmundjeve të gjakut, sëmundjet e zemrës etj janë në pritje të medikamenteve të cilët në 80 për qind të rasteve u duhet ti blejnë privatisht duke përfshirë këtu edhe serumet apo qoftë edhe ndonjë aspirinë. Kanë qenë personalisht drejtuesit e këtyre pavijoneve që kanë pranuar gjendjen e vështirë të mungesës së ilaçeve duke deklaruar se edhe pse ankesat e përcjella në drejtori për këtë problem kanë qenë të shumta sërish drejtuesit nuk kanë dhënë asnjë sqarim apo sinjal se kur do të mbërrijnë ilaçet në pavijone.
Pediatria
Por mesa duket indiferenca e drejtorit Dashi për vonesat e pajustifikueshme me barna nuk ka kursyer edhe pacientët e vegjël. Në spitalin pediatrik janë vetë prindërit që në mungesë edhe të një peniciline apo shurupi nga infermieria duhet ta blejnë këtë të fundit me kursimet e tyre. Jo më shumë se një muaj më parë Drejtori i QSUT-së ka deklaruar se duhen vetëm disa ditë që spitali e të gjitha pavijonet do të furnizohen me medikamente pasi tenderimet kanë përfunduar tashmë e ilaçet kanë drejt blerjes, por edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë, sërish mungesa e ilaçeve në pavijonet e spitalit më të madh në vend, duket se është shqetësimi parësor për të gjithë pacientët e familjarët e tyre.
Arta AGOLLI