Franca sjell ushqimin me vete,lojtarët pozojnë me fansat
Avioni që mbarte skuadrën kombëtare te Francës u ul në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 18:00, për t’u akomoduar më pas në Hotel “Sheraton”, që do të jetë selia disaditore e ekipit të drejtuar nga Lorent Blank. Lojtarët blu u drejtuan menjëherë në dhomat e tyre, ndërsa trajneri Blank, së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të stafit të tij, u akomoduan në një nga baret e hotelit duke u shlodhur disi. Fluksi i tifozëve në hollin e hotelit nuk ishte shumë i madh, por të gjithë donin të bënin fotografi me yjet e përfaqësueses transalpine, njëri mbi të githë, Frank Riberi, ylli i Bajernit të Mynihut, që ishte më i lakmuari nga tifozët, francezë dhe shqiptarë.
Ndërsa trajneri Blank u ngjit në dhomën e tij për t’u ndërruar, në hotel mbërritën disa valixhe të mëdha, në formë kontenierësh që u drejtuan për nga salla Illyria 2. Më pas, disa persona mbyllën derën duke shtuar kuriozitetin se çfarë mund të kishte vallë në ato kontenierë plot shkëlqim. Përgjigjia nuk do të vononte. Ndërsa lojtarët filluan duke zbritur një e nga një, të shoqëruar rreptë nga forcat e sigurimi privat, sytë e kureshtarëve u drejtuan pikërisht nga salla ku tashmë dera ishte hapur. Që të kuptoje se çfarë po ndodhte, duhej të afroheshe disa metra, por deri në një kufi të caktuar, pasi shefi i sigurisë, me mirësjellje, të njoftonte se “kjo është një hapësirë e rezervuar dhe e prenotuar nga kombëtarja franceze”. Megjithatë, nuk u desh shumë të kuptohej se mbanin brenda kontenierët. Në hotel u përhap aroma e ushqimit dhe këtu habia u bë edhe më e madhe: mirë guzhinierët që Franca do t’i merrte me vete, por edhe ushqimin?!
Lojtarët, foto me tifozët
Tifozët shqiptarë dhe ata francezë mundën të bënin foto me thuajse të gjithë lojtarët francezë. Ndonëse ishin të survejuar, të zgjedhurit e Blankut patën mirësjelljen që të bënin fotografi, apo të jepnin autografe për fansat e tyre. Më këmbëngulëset ishin dy vajza të vogla, fanse të Riberis. Njëra prej tyre kishte veshur edhe fanellën e Bajernit të Mynihut dhe e priti asin francez derisa ai mbaroi së darkuari. Riberi doli fotografi me to, madje firmosi edhe fanellën bavareze me autografin e tij për lumturinë e vajzave të vogla, që u larguan me vrap dhe të gëzuara nga hoteli.