Evra : Ta vrasim atmosferën në Tiranë!
Patris Evra ka përshkruar rolin e tij në kombëtaren e Francës pak përpara nisjes për në Shqipëri, ku blutë do të luajnë ditën e nesërme një nga ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Euro 2012. “Nuk do të thotë asgjë fakti që nuk e kam unë shiritin e kapitenit”, siguron ish-kapiteni i trikolorëve, pasi ai ndjehet gjithnjë një “lider” në fushë.
Patris, gjërat serioze nisin me këtë ndeshje në Shqipëri. Si ndjeheni ju?
Është e vërtetë që gjërat serioze nisin me këtë ndeshje eliminatore, nuk janë më ndeshje miqësore. Në planin personal, ju takon juve të më gjykoni. Jam i kënaqur me dy ndeshjet e mia të fundit.
Ka më shumë presion për këto ndeshje të fundit eliminatore?
Ne kemi presion sa herë që luajmë. Në këto ndeshje luhet pak edhe e ardhmja jonë. Na duhet të bëjmë një ndeshje të fortë. Ne i kemi lojtarët në gjendje ta përballojnë presionin. Por më e rëndësishmja është që të fitojmë.
Do të jetë e thjeshtë në Shqipëri?
Është e vështirë për shkak të atmosferës, presionit të publikut. Na duhet të futemi brenda ndeshjes që në fillim. Nëse nisim të gabojmë me pasimet, do ta kalojmë ndeshjen nën presion. Duhet të shënojmë sa më shpejt që ta vëmë ndeshjen para. Ta vrasim atë atmosferë.
A do të jetë e vështirë me një mbrojtje të rinovuar?
Po dhe jo! Kemi luajtur me Poloninë me këtë mbrojtje. Janë lojtarë të nivelit të lartë, duhet të adaptohen, por nuk do të jetë problem.
Të qenurit favoritë, është “grackë” për këtë lloj ndeshjeje?
Tani nuk ka më skuadra të vogla. E vërteta është në terren. Personalisht kam dëshirë të fitoj, pak rëndësi se kundër kujt. Duhet të bëjmë lojën tonë, brenda apo jashtë fushës. Duhet të dalim në sulm duke ruajtur ekuilibrat.
Si është marrëdhënia juaj me Frank Riberin në krahun e majtë?
Shkon shumë mirë me Frank, qoftë ai, apo qoftë Maluda. Më duhet mua që të adaptohem. Shpresoj të jem në nivelin tim. Frank duhet të bëjë detyrën e tij, unë timen. Nuk bëj shumë pyetje për këtë. Dua të bëj një ndeshje të mirë për vendin tim.
Çfarë i mungon Francës për të rigjetur veten?
Duhet të fittojë. Të kualifikohet për në Euro dhe të fitojë trofe. Mund të luajmë mirë ose keq, e rëndësishme është të fitojmë.
Është po aq argëtuese të luash me blutë sa ç’është me Mançesterin?
Është një privilegj. Sa do të donin të ishin në vendin tim? Të luash me një klub dhe jo me kombëtaren, është si ta bësh punën përgjysmë. Duhet të jesh i gatshëm gjithmonë. Për këtë arsye unë kam këtë palmares. Nuk kam pasur vazhdimësinë që kam në klub, por e kam rigjetur në ndeshjet e fundit. Kam bërë paraqitjet e mia, nuk duhet të jesh kurrë shumë i kënaqur. Kam gjithnjë dëshirë të bëj më shumë.
Mos vallë fakti që nuk keni shiritin e kapitenit ua ka lehtësuar punën në fushë?
Të mos kesh shiritin, nuk të lehtëson fare. Nuk do të thotë se unë s’do ta bëjë detyrën time tani që nuk jam kapiten. Jam një lider, por në fushë. Nuk kam dëshirë të flas shumë për këtë. Nuk e ndjej më përgjegjësinë.
A do ta shohim më Patrikun gaztor?
Sigurisht (qesh). Jam gjithnjë i njëjti. Shumë njerëz kanë frikë prej meje që pas Kupës së Botës, por nuk kam kafshuar asnjë. Është e drejtë që më jepet mundësia për të bërë punën time. Nuk u përgjigjem të gjitha pyetjeve. Nuk duhet të shpërqëndrohem. Duhet të bëj atë që duhet të bëj.
Do ta pranonit shiritin nëse do ua propozonin sërish?
Është një pyetje e vështirë. Një shirit nuk refuzohet. Ai kërkon ende një kapiten? Atëherë nuk qenka e lehtë të zëvendësosh Evran (qesh).
Maluda sulmon Riberin:
Jam më i mirë sesa ai!
Në skuadrën franceze janë disa lojtarë që luajnë shumë mirë në fazën ofensive nga krahët, ndaj Florent Maluda nuk ka humbur rastin për të sulmuar kolegun e tij Frank Riberi, me të cilin do të diskutojë një fanellë titullari. “Ka shumë mundësi që të luaj në të djathtë, nuk mendoj se Riberi është më i mirë se unë në të majtë. Mendoj se kjo zgjidhje do t’i kënaqte të gjithë. Është një mundësi që na e ka ofruar trajneri. Nuk ka nevojë që të filloj e të kërkoj të luaj në të majtë, sepse e gjithë bota e di se i majti është krahu im i preferuar. Por nëse trajneri më vendos në të djathtë, nuk është se kam shumë mundësi që të ankohem.”