Irma Kurti me “Nën bluzën time” shpallet poetja më e mirë
Poezia nderon përsëri poeten shqiptare Irma Kurti. Pak ditë më parë Kurti është vlerësuar me çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë e Prozës 2011, organizuar nga Napoli Cultural Classic. Poezia e Irmës "Nën bluzën time" ishte përzgjedhur në kategorinë e autorëve të huaj, dhe në fund, pas një vlerësimi të kujdesshëm nga juria, e përbërë nga emra të njohur, si nga presidenti prof. Don Lino D’Onofrio, si dhe nga shkrimtarët e poetët Giuseppe Vetromile, Claudio Perillo, Emanuela Esposito etj. kanë përzgjedhur shqiptaren si fituesen e këtij viti. Ndërkaq përpara tërheqjes së trofeut të këtij çmimi, Kurti u nderua me një tjetër çmim në Konkursin Ndërkombëtar me emrin e humanistit të madh “Coluçio Salutati” në Borgo a Buggiano, Pistoia. Ky konkurs, i organizuar me përkrahjen e Presidencës së Republikës, Shoqatës Italiane të Autorëve dhe Botuesve, Kryqit të Kuq Italian etj., është një nga iniciativat më prestigjiose që çdo vit regjistron një numër të madh pjesëmarrësish. Në këtë konkurs Irma Kurti u përzgjodh në 25 finalistët e seksionit të të rriturve, mes 516 konkurruesve dhe u nderua me çmim special për poezinë: “E përsëri kthehem”.
Ndërsa shoqata tjetër, Napoli Cultural Classic, është një shoqatë që synon përhapjen e vlerave të artit e kulturës, duke u ardhur në ndihmë artistëve e studiuesve për t’u realizuar dhe favorizuar afirmimin e tyre. Të gjitha krijimet e paraqitura në konkurrimin e këtij viti ishin të pabotuara më parë e konkurruan të ndara në disa seksione: Seksionin e poezisë e prozës për të rritur e të rinj, sektorin e poezisë me temë fetare, poezisë në gjuhë të huaj e përmbledhje poezish. Irma Kurti, e njohur si poete e teksteve të këngëve në dhjetëra festivale në Radio Televizion, është botuese e gjashtë librave. Kohët e fundit ajo u prezantua përpara lexuesit italian me publikimin e dy librave, librin autobiografik: “Tra le due rive”(Midis dy brigjeve) dhe përmbledhjen me poezi: “Risvegliare un amore spento”(Të rizgjosh një dashuri të shuar). Irma Kurti banon prej vitesh në Itali.