Francë – Greva dyditore e kontrollorëve të trafikut ajror shkakton vonesa, anulime të fluturimeve

Një grevë e paralajmëruar e kontrollorëve të trafikut ajror paralizoi të premten disa prej aeroporteve kryesore të Francës.
Kjo është dita e dytë dhe më serioze e grevës, pasi gati 40 për qind e fluturimeve në vend janë anuluar, duke u prishur planet rreth 300 mijë pasagjerëve në kulmin e sezonit turistik në Europë.
Agjencia e aviacionit, DGAC, njoftoi se anulimi i linjave ajrore ka prekur tre aeroportet kryesore të Parisit. Rreth gjysma e fluturimeve në aeroportet e tjera franceze po ashtu u ndikuan nga greva, e cila po organizohet me arsyet se stafi është reduktuar dhe pajisjet e kontrollorëve janë vjetruar.
“Qëllimi i kësaj greve është që të shqetësojë sa më shumë njerëz,” tha ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, duke e quajtur grevën të papranueshme.
Një ditë më parë, greva dyditore shkaktoi anulimin e 1.500 fluturimeve, sipas shoqatës që merren me gjurmimin e trafiqeve ajrore. Gjysma e fluturimeve të anuluara ishin në aeroportin e Nisës, që është i treti më i madhi në Francë, dhe një pjesë në aeroportet e kryeqytetit, si Paris Orly dhe Paris Charles de Gaulle.
Greva përfshiu të enjten rreth 270 kontrollorë të trafikut ajror nga 1.400 që është forca totale e punës në këtë sektor të Francës. /AFP
/rtsh.al/