E Shtunë, 31 Tetor 2026

France gjendet i pajete Ali Podrimja

Është gjetur në Francë trupi i pajetë i poetit të mirënjohur kosovar, Ali Podrimja, i cili prej disa ditësh konsiderohej si person i humbur.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave me të gjetur trupin, autoritetet franceze kanë njoftuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës se poeti kishte ndërruar jetë.

Sipas raportimeve të “RTK”, autoritetet franceze po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ndarjes nga jeta të poetit të mirënjohur.

Ali Podrimja kishte humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e tij që prej datës 18 korrik, kur po merrte pjesë në festivalin e poezisë “Zëri i Mesdheut” që po zhvillohej në qytetin Lodeve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj u shpreh i tronditur nga kjo humbje dhe i bëri menjëherë ngushëllimet e tij familjes së poetit, komunitetit të shkrimtarëve dhe mbarë popullit të Kosovës.

“Humbja e poetit me famë ndërkombëtare Ali Podrimja është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e madhe edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë”, është shprehur Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare, në telegramin e tij ka vlerësuar se, kujtimi i Podrimjas do të mbetet gjithnjë i gjallë dhe do të shërbejë si motivim për brezat e ardhshëm të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›