E Diel, 1 Nëntor 2026

Francë, ish presidenti Chirac në gjyq për abuzim me pushtetin

Ish presidenti francez Jacques Chirac, do të procesohet në gjyq pasi dyshohet për prokurime të paligjshme në Paris. Chirac, i cili aktualisht është 76 vjeç, akuzohet për vjedhjen e parave publike dhe abuzim me pushtetin apo shpërdorim të detyrës. Akuzat kanë të bëjnë me periudhën kur ai ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit francez, gjatë viteve 1983 dhe 1995. Kështu ish presidentit të Republikes se Francës, Jacques Chirac do t'i duhet të nisë betejën me drejtësinë pas padisë së paraqitur ndaj tij. 76 vjeçari i cili ka drejtuar Elizeun për shumë vjet rresht, dhe që akuzohet për fshehje të fondeve publike dhe abuzim me pushtetin, nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë në lidhje me këtë çështje që mund të dëmtojë rëndë imazhin e tij, si një nga presidentet më të suksesshëm që kanë drejtuar vendin gjatë viteve te fundit. Ndërkaq nuk është e sigurtë nëse Chirac, aktualisht në pension, dhe që ishte kryebashkiak nga 1977 deri 1995 kur ai u zgjodh president, do të paraqitet në gjyq, duke qenë se prokurori publik në Paris, Jean-Claude Marin, më herët kishte thenë se nuk kishte ndonjë çështje kundër tij. Marin ka gjasa të apelojë vendimin e Xaviere Simeoni, një gjyqtar roli i të cilit është të hetojë rastet e të dyshuarve dhe të vendosë nëse duhet të përballen me gjyq. Në këtë rast, një gjykatë apeli do të marrë vendim përfundimtar brenda një viti apo edhe më shumë. Akuzat, të cilat janë hetuar nga Simeoni kanë të bëjnë me 35 kontrata pune që janë dhënë nga bashkia e kryeqytetit francez, për miq apo bashkëpunëtorët e kampit politik të Shirak, për punë jo-ekzistente.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›