Francë, të shtëna në një shkollë, të paktën 3 të vdekur

Të paktën tre persona, mes të cilëve dy fëmijë raportohet të ketë vdekur gjatë të shtënave në një shkollë hebraike në Toulouse të Francës. Lajmi raportuar fillimisht nga mediat franceze, saktëson se autori është larguar menjëherë pas krimit të kryer. Sipas BBC, nga sulmi jashtë shkollës Ozar Hatorah kanë mbetur edhe dy të plagosur. Policia është vënë në kërkim të personit që qëlloi me armë ndërsa dëshmitarët thanë se ai po drejtonte një Scooter të zi.
Presidenti Nicolas Sarkozy, ministri i tij i Arsimit dhe i Brendshëm janë nisur për në Tuluzë. Sulmi ka ndodhur në momentin që prindërit e fëmijët po shkonin në shkollë. Mendohet se viktimat janë një mësues, djali i tij 6 vjeç dhe një nxënës 17 vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në pjesën jugperëndimore të Francës ndërsa raportohet se personi që kreu sulmin, ishte në një motoçikletë.
Ky incident ndodhi vetëm disa ditë, pasi tre ushtarë të Francës u vranë nga një person sërish me motoçikletë në dy incidente, në po këtë rajon.Nuk është e qartë nëse sulmi i radhës ka lidhje apo jo me sulmet e mëparshme, megjithëse banorët menjëherë e kanë lidhur sulmin me atë që ndodhi mbi ushtarët javën e shkuar. Në gazetar vendas, Christopher Bockman, i tha BBC se ushtarët që u sulmuan ishin me origjinë etnike, çka do thotë se personi që i sulmoi i kishte shënjestruar si minoritete.