Pakistan, 8 të vrarë nga përleshjet e ushtrisë me militantët

Zyrtarët e sigurisë në Pakistan thonë se të paktën tetë persona janë vrarë dhe më se 10 të tjerë janë plagosur, në përleshjet ndërmjet ushtrisë dhe militantëve, në një rajon fisnor në kufi me Afganistanin.
Sipas zyrtarëve, katër militantë e një ushtar ishin vrarë në luftimet pasi militantët e kishin sulmuar një postbllok të ushtrisë, mbrëmë vonë në Miranshah.
Ushtria, në shenjë hakmarrjeje, sot herët në mëngjes ka sulmuar objektet, që shërbenin si bazë për militantët e dyshuar. Nga sulmet kanë mbetur të vrarë tre civilë.
Të dhënat për numrin e të vrarëve janë paraqitur nga ushtria dhe nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Brezi fisnor pakistanez është arenë e aktiviteteve të militantëve dhe është bazë e talibanëve dhe e militantëve të ndërlidhur me Al-Kaidën.