Francois Hollande në Shtëpinë e Bardhë

Hollande dhe Obama diskutuan për Afganistanin, krizën e eurozonës, për Sirinë dhe çështje të tjera ndërkombëtare.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Hollande u zotua se do të tërhiqte 3400 trupat e Francës nga Afganistani deri në fund të këtij viti. Kjo vjen shumë përpara planit të NATO-s për të tërhequr të gjitha trupat nga Afganistani në vitin 2014, kur forcat e qeverisë afgane do të marrin të gjitha përgjegjësitë për sigurinë në vend.
Në komentet e tij përmes përkthyesit, Hollande tha se i kujtoi presidentit Obama zotimin që ai kishte marrë ndaj popullit francez dhe se mbështetja e Francës për Afganistanin do të vazhdojë në një formë tjetër.
"Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Afganistanin në një mënyrë tjetër, mbështetja jonë do të ketë tjetër formë dhe gjithçka ne do ta bëjmë në mirëkuptim me aleatët tonë në Forcën Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë dhe kështu ne do të vazhdojmë t’u përmbahemi zotimeve tona ndaj atij vendi, duke i ofruar furnizime dhe mbështetje, siç thashë në një mënyrë tjetër”, tha Hollande.
Obama tha se ai dhe Hollande ranë dakord se ndërkohë që aleanca e NATO-s po i jep fund fazës së luftimeve, është me rëndësi që të vazhdojë angazhimi për sigurinë dhe zhvillimin në Afganistan.