François Hollande, nga hero i Bastijës në klloun të Pallatit Elizee
Nga hero i Bastijës në klloun të Pallatit Elizee: një vit pas fitores në zgjedhje, presidenti i Francës, François Hollande nuk i ka realizuar premtimet për të cilat u angazhua.
Ai nuk dëshiron të festojë. Në përvjetorin e parë të ardhjes në pushtet, presidenti i Francës, Francois Hollande ndodhet në rënie të lirë. Në maj 2012 francezët votuan për ndryshimin e pushtetit politik. Shpresat qenë të mëdha. Por një vit dhe një rekord papunësie më vonë, shumë qytetarë janë të zemëruar për tone premtimesh të parealizuara. Alain, në mes të të dyzetave thotë se tani “ka ardhur në vete”: “Hollande pati nevojë për votat e të majtëve për fitoren e tij në zgjedhjeve dhe shpalli se do të ndiqte një politikë me orientim të majtë. Por sot ndodh e kundërta. Shumë projektligje nuk favorizojnë punonjësit.”
Administrator i hutuar në krye të shtetit
Një republikë sociale të drejtë dhe një ofensivë të patrembur kundër krizës ekonomike, para së gjithash fundin e presidencës që shihej nga shumë vetë si e pagdhendur të Nikolas Sarkozysë – ishin këto të gjitha ato që donte të arrinte socialisti me pamje miqësore. Por sot ai ka ngrirë në pavendosmëri, në spërkatën midis thirrjes për më shumë shtet social në krahun e tij të majtë dhe presionit për reforma të Evropës. Madje edhe imazhi i politikanit të pastër ia ka lënë vendin atij të administratorit të hutuar në krye të shtetit, i cili nuk qe në gjendje të ndalonte që ministri i buxhetit, Jerome Cahuzac, që nuk kishte paguar taksa, të përbaltte qeverinë e tij “të pastër si drita”.
Hollande u bën bisht temave të mëdha
“Ne kemi diskutuar gjerësisht për martesat e homoseksualëve. Por si është puna me pjesën tjetër? Për mua ka gjëra shumë më të rëndësishme. Riindustrializimi i Francës, për shembull. Atë ne mund ta arrijmë vetëm me pak patriotizëm ekonomik në Evropë, si dhe në SHBA. Ka shumë tema, për të cilat nuk dëgjoj të diskutohet fare”, thotë Colette, e cila është që prej 15 vjetësh anëtare e Partisë Socialiste. Numri i premtimeve të parealizuara është me të vërtetë i lartë. Taksat prej 75 përqind për të pasurit, e cila tërhoqi vëmendjen në të gjithë Evropën, u frenua nga një veto e Komisionit Kushtetues, duke përçuar pamjen e një qeverie diletante. Dhe para së gjithash “jo”-ja e shpresuar ndaj kursit të kursimeve që kërkon Gjermania. Një vit pas ardhjes në pushtet të Hollandes lidhja midis tij dhe zgjedhësve është këputur. Tri të katërtat e francezëve e vlerësojnë negativisht politikën e tij. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
(DW)
SHBA-Britani: Do mbështesim opozitën siriane
Presidenti amerikan Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të përparojnë me planet për të ndihmuar më tej opozitën siriane dhe për të ndërtuar një Siri të re pa presidentin Bashar al-Asad. Zoti Obama foli gjatë një konference të përbashkët shtypi pas një takimi që zhvilloi dje me Kryeministrin britanik David Cameron në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për opozitën e moderuar siriane. Ai tha gjithashtu se të dyja vendet janë duke punuar për të ndihmuar në krijimin e një organi kalimtar për të qeverisur Sirinë në një takim të ardhshëm ndërkombëtar të nivelit të lartë. Zoti Cameron tha se ka një “dritare urgjente mundësish në Siri para se botë të shoh të realizohet frika më e keqe. Ai u zotua për të rritur mbështetjen për elementët e moderuar të opozitës siriane, duke thënë se “nëse ne nuk punojmë me atë pjesë të opozitës, atëherë nuk duhet të habitemi nëse elementët ekstremistë shtohen.”
OKB: Të luftojmë urinë duke ngrënë insekte
Konsumimi më i madh i insekteve mund të ndihmojë në luftën kundër urisë në botë, sugjerohej të hënën në një raport të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sipas studimit, të përpiluar nga Agjensia Ushqimore dhe Bujqësore e OKB-së, ngrënia e brumbujve, krimbave apo gjallesave të ngjashme do të ndikojë në pasurimin e vlerave ushqimore të konsumuara dhe reduktimin e ndotjes në botë. Aktualisht, mbi dy miliardë persona në planet i kanë pjesë të zakonshme të dietës së tyre insektet. Megjithatë, në vendet e zhvilluara dhe sidomos në SHBA e Europë, ekziston një barrierë psikologjike, pasi gjallesa të tilla nuk kanë qenë kurrë pjesë e kuzhinës dhe ngjallin neveri tek popullsia. Ndërsa OKB pranoi se kjo “barrierë psikologjike” mbetet problemi kryesor në botën e zhvilluar, theksoi se insektet janë shumë më të pasur me proteina, hekur, kalcium e përbërës të tjerë të domosdoshëm për trupin e njeriut, prandaj duhet te nise një fushate e gjerë edukimit për këtë burim ushqimor.
SHBA, 19 të plagosur në luftën mes bandave
Të paktën 19 persona mbetën të plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri të ndodhur gjatë një parade për Ditën e Nënës, në qytetin e Nju Orlinsit, në SHBA. Midis të lënduarve ishin edhe dy fëmijë 10-vjeçarë. Sipas mediave amerikane, asnjëri prej të plagosurve nuk është në gjendje kritike për jetën. Është ende e paqartë se çfarë motivoi ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e së dielës. Disa kamera të sigurisë së vendosur në rrugë treguan tre persona duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja, por ende nuk ka një identikit për autorët. Sipas disa dyshimeve, pjesëmarrësit e paradës rastisën të ishin në mes të një shkëmbimi zjarri mes bandash, ndërsa FBI ka përjashtuar për momentin mundësinë e një akti terrorist. Nga ana e tij, kryebashkiaku i Nju Orlinsit, Mitch Landrieu, i bëri thirrje të gjithë atyre që kanë informacion mbi autorët e kësaj ngjarje që të bashkëpunojnë me policinë.
Ngacmimi seksual, presidentja koreanojugore kërkon falje
Presidentja e Koresë së Jugut i ka kërkuar falje kombit të saj për atë që e ka cilësuar si një incident i turpshëm ku u përfshi zëdhënësi i saj. Ngjarja ndodhi gjatë udhëtimit të presidentes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo ka pushuar menjëherë nga posti i tij, zëdhënësin pas ngacmimit seksual që ai i ka bërë një vajze koreano-amerikane gjatë udhëtimit. Presidentja u shpreh se ky veprim cënonte dinjitetin kombëtar. Ajo ka kërkuar ndjesë studentes, familjarëve të saj si dhe të gjithë atyre që janë ndjerë të ofenduar nga ky veprim. Presidentja Park shtoi se do të ketë rregulla më të ashpra disiplinore për të gjithë ata që punojnë në presidencë. Nga ana e tij 56 vjeçari ka mohuar akuzat dhe ka thënë se do të hedhë në gjyq mediat që kanë publikuar fillimisht këtë lajm.